LDK-ja e quan skandaloz vendimin e PZAP-së për Dragashin, do të ankohen në Supreme

LDK-ja e quan skandaloz vendimin e PZAP-së për Dragashin, do të ankohen në Supreme

Zgjedhjet Lokale 2021 November 19, 2021 - 19:29

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas vendimit të PZAP-së për anulimin e votave me post në Komunën e Dragashit.

Kjo parti e ka quajtur skandaloz këtë vendim, duke thënë se me këtë veprim ky institucion po tenton ta ndryshojë vullnetin qytetar.

“Sot, PZAP-ja mori vendim skandaloz e të paprecedent në sistemin zgjedhor të Kosovës. Anuloi të gjitha votat e mërgatës – të gjitha pa përjashtim – në rastin e Dragashit. Me këtë vendim, si asnjëherë më parë, duke i anuluar në bllok votat e njerëzve tanë, PZAP-ja tenton të ndryshojë vullnetin qytetar”, thuhet në njoftim, raporton Zeri.info.

Sipas LDK-së, i gjithë procesi i regjistrimit dhe votave të qytetarëve nga diaspora ka qenë i rregullt dhe i ligjshëm.

“Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se i gjithë procesi i regjistrimit dhe votimit të qytetarëve tanë nga jashtë vendit, bazuar edhe në vendimet e KQZ-së, është zhvilluar brenda afateve dhe në përputhje të plotë me dispozitat ligjore dhe rregullat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Prandaj, ky proces, procesi i votimit përmes postës nuk është kontestuar në asnjë fazë të zhvillimit të tij nga askush dhe është vlerësuar plotësisht i ligjshëm edhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i cili ka proceduar me pranimin, verifikimin dhe numërimin e këtyre votave në përputhje me procedurat e parapara ligjore”, thuhet më tej në reagim.

Nga kjo parti kanë thënë se do të ankohen në Supreme e në rast të nevojës edhe në Kushtetuese.

“LDK-ja do të ankohet në Supreme e në rast të nevojës dhe në Kushtetuese. Betejat politike të fituara me votë s’mund të transferohen në tavolinë. Duam të besojmë se Supremja do të korrigjojë këtë skandal të ri në vend”, është bërë e ditur në njoftimin e LDK-së. /Zëri