AAK-Mustafës: Nëse je Kryeministër, shembe murin në Mitrovicë ose shko!

Aktuale December 07, 2016 - 19:46

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Kuqi, i është kundërpërgjigjur akuzës së kryeministrit Isa Mustafa ndaj opozitës për demarkacionin me Malin e Zi.

“Përpjekja e juaj që ta hedhni fajin dikund tjetër e të mos e pranoni dështimin në këtë temë, flet për dështimin dhe paranojën tuaj e jo për qëndrimin parimor e krejt pa interes të Opozitës, e cilia sipas jush paska dashur ta kallë Kosovën”, ka shkruar Kuqi, duke ju drejtuar kryeministrit Mustafa.

Kuqi po ashtu i ka thënë kryeministrit se sot nuk është temë kufiri me Malin e Zi, në vend të demarkacionit duhet “të merresh me murin e ta shembesh atë në Mitrovicë”, transmeton "Zeri.info".

Ky është shkrimi i plotë:

I nderuari Kryeministër Mustafa,

Marrëveshja e juaj për Demarkacionin, e ka dështuar Demarkacionin me Malin e Zi, dhe faji është i juaj dhe vetëm i juaj. Përpjekja e juaj që ta hedhni fajin dikund tjetër e të mos e pranoni dështimin në këtë temë, flet për dështimin dhe paranojën tuaj e jo për qëndrimin parimor e krejt pa interes të Opozitës, e cilia sipas jush paska dashur ta kallë Kosovën.

Kjo temë kërkon qasje serioze e shtetërore, e cila po më duket është e pamundur që të bëhët, derisa ju të jeni kryeministër.

Sot nuk është temë kufiri me Malin e Zi, pavarësisht përpjekjes suaj për ta rikthyer në orbitë, të cilin nuk e kanë votuar as deputetë të partisë suaj e lere më të tjerët, por një kufi tjetër, i cili po vendoset me mur në Mitrovicë.

Nëse je Kryeministër merru me këtë temë dhe shembe atë mur, ose shko në shpi.

Ne nuk e kemi ndërmend të heqim dorë kurrë nga asnjë milimetër e territorit të Kosovës, pavarësisht paranojës suaj të dështimit.