Nga Meksika në Izrael, lajmi për lirimin e dy vëllezërve kosovarë

Aktuale December 24, 2016 - 20:45

Lajmi për lirimin nga mbajtja e dy vëllezërve kosovarë të arrestuar një ditë më parë në Gjermani nën dyshimin se planifikonin sulm terrorist ka bërë bujë të madhe, pothuajse aq sa bëri edhe lajmi për arrestimin e tyre.

Përveç medieve gjermane të cilat raportuan mbi lirimin e dy vëllezërve shqiptarë të Kosovës, lajmi u përhap edhe në Meksikë, Holandë, Rusi e Izrael.

E përditshmja meksikane “La Jornada” përmes verzionit online të gazetës së tyre, ka përcjellë lajmin e njoftuar nga policia gjermane e cila tha se “janë liruar dy vëllezërit kosovarë të cilët dyshoheshin se po planifikonin sulm terrorist në një qendër tregtare në Duisburg të Gjermanisë.”

Për lirimin e kosovarëve të paidentifikuar nga autoritetet gjermane, ka shkruar edhe gazeta prestigjoze izrelite “The Times of Israel”.

“Policia gjermane liron dy vëllezërit e dyshuar për sulm në qendrën tregtare”, shkruan The Times of Israel, e cila thekson se arrestimi i dy vëllezërve mbushi faqet e medieve në botë pasi erdhi katër ditë pas sulmit të Berlinit.

Ndërsa mediumi holandez “The Post Online” shkruan se “‘Vëllezërit terrorist’ kosovarë që planifikonin sulm në Oberhausen, janë liruar”.

Vendimin për lirimin e vëllezërve nga Kosova e ka marrë Gjykata me arsyetimin se nuk ekziston më rrezik real prej dy vëllezërve kosovarë, njoftoi sot gazeta gjermane Die Welt.

Dy vëllezërit nga Kosova ishin arrestuar mëngjesin e së premtes në Duisburg. Ata ishin të moshës 31 dhe 28 të lindur në Kosovë.

Gjermania është në gatishmëri të lartë pas sulmit së të hënës të realizuar nga ISIS në Berlin, që la 12 persona të vdekur. /Insajderi.com

Image

Image