Mustafa e Veseli, për Listën Serbe: Le të vetëdijesohen ku e kanë adresën e çfarë kushte kërkojnë

Aktuale December 28, 2016 - 18:53

Deputet e Listës Serbe kanë “ngrirë” sërish pjesëmarrjen në Kuvendin dhe Qeverinë e Republikës e Kosovës.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se Kosova ka nevojë për një dialog i cili i tejkalon kornizat e Brukselit. Sipas tij, dialogu i brendshëm me komunitetin serb është prioritet i tij.

“Gjithçka që e lehtëson këtë komunikim dhe krijon një klimë ku komuniteti serb në Kosovë e kupton që nuk është i mbrojtur nga komuniteti ndërkombëtar, por nga komuniteti shqiptar, dhe që adresa e tyre është Prishtina e jo Beogradi, atëherë edhe angazhimi i deputetëve serbë të Kosovës në politikë do të jetë shumëfish më i dobishëm sesa ai që është tani”, ka thënë Veseli për Telegrafin.

Ndërkaq, kryeministri Isa Mustafa, në një konferencë për gazetarë ka thënë se sa i përket Listës Serbe, do të angazhohet që ata të kthehen sa më parë në Kuvend, por jo me çfarëdo kushti.

“Mariq është shkarkuar dhe ky vendim nuk kthehet më prapa”, ka thënë ai.

Analisti Imer Mushkolaj, në një prononcim për Telegrafin tha se Lista Serbe po saboton institucionet dhe shtetin e Kosovës. Sipas tij, zyrtarët e saj po e bëjnë të qartë se janë dorë e zgjatur e Beogradit në Kosovë dhe se qëllim kryesor e kanë dëmtimin e Kosovës shtet.

“Institucionet e vendit duhet të tregohen të vendosura që, brenda ligjit dhe Kushtetutës, t’i japin përgjigje të duhur kësaj situate. Nëse nuk veprojnë kështu, atëherë një shtet i tërë mbetet peng i një grusht individësh që trupin e kanë në Kosovë e kokën në Beograd dhe punojnë jo për interesat e serbëve të Kosovës, por për interesa të Beogradit”, tha Mushkolaj.

Ndryshe, që nga miratimi i Ligjit për Trepçën nga Kuvendi i Kosovës, përfaqësuesit e Listës Serbe patën “ngrirë” pjesëmarrjen në legjislativin dhe ekzekutivin e vendit. Bojkoti i dytë erdhi pesë ditë pasi që disa nga deputetë e kësaj Liste iu rikthyen punës në Kuvend, gjë që përçau ligjvënësit serbë.