Kusari- Lila: Në janar e zyrtarizojmë 'Alternativën', s’jemi parti veç për një palë zgjedhje

Aktuale December 28, 2016 - 20:34

Nuk është shuar iniciativa e të parës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, dhe e ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Ilir Deda. Kusari-Lila thotë se po vazhdojnë të punojnë që iniciativa e tyre të jetë e fuqishme kur të dalë në skenën politike.

“Angazhimet që i kemi secili prej nesh, kanë bërë që mos mund t’i përfundojmë punët me ‘Alternativën’. Jemi duke punuar më stafin organizativ, në një organizim të përgjithshëm të brendshëm”, ka thënë ajo për Telegrafin, duke shtuar se subjektin do ta zyrtarizojnë në janar 2017, kur do të dalin edhe me emrat e të angazhuarve në subjektin e ri politik.

Kusari-Lila ka folur edhe për sondazhet e bëra nga një organizatë joqeveritare në Kosovë, sipas të cilave “Alternativa” e saj nuk ka më shumë se dy për qind të përkrahjes së votuesve kosovarë.

“Nuk mund ta komentoj sondazhin, pasi nuk e di se si është realizuar. Pos kësaj, sondazhet e kohëve të fundit, në shumë raste janë përmbysur”, ka thënë ajo.

E para e Gjakovës ka theksuar se kurdo që mbahen zgjedhjet, qëllimi i tyre është që të jenë parti që veprojnë në periudha afatgjata e jo “parti për periudha të shkurtra dhe vetëm për një palë zgjedhje”.

Ndryshe, muaj më parë Deda dhe Kusari-Lila kishin paralajmëruar se iniciativa e tyre i takon gjeneratës së re politike. /Telegrafi