Kryeministri Mustafa: Jusufi, Bardhoshi, Kadriu dhe Smajli janë Heronj të Kosovës

Aktuale January 17, 2017 - 18:35

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, përmes një statusi në Facebook, ka përkujtuar vëllezërit Gërvalla e Kadri Zekën të cilit ishin vrarë më 17 janar 1982.

Kryeministri Mustafa, po ashtu ka përkujtuar edhe Smajl Hajdarajn, të vrarë më 17 janar 2002 në Pejë.

Ai ka thënë populli i Kosovës do t’i nderojë përjetë figurat dhe vlerat e tij kulmore, që vunë bazat e shtetit tonë demokratik./Zeri.

Lexoni të plotë reagimin e tij:

Të dashur qytetarë,

Më 17 janar 1982, Kosova humbi tre kolosë të lëvizjes për liri, Jusuf e Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën. Ata u vranë nga regjimi kriminal i Jugosllavisë, në përpjekje për ta shuar luftën epike të popullit të Kosovës për çlirim.

Fiks 20 vjet më pas, më 17 janar 2002, në Pejë u vra Komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, deputeti dhe veprimtari i shquar Smajl Hajdaraj. Edhe Smajli u ekzekutua pabesisht, nga ata që nuk ia donin të mirën vendit dhe që përmes Smajlit, menduan se do ta vrisnin lirinë dhe demokracinë në Kosovë.

Jusufi, Bardhoshi, Kadriu dhe Smajli janë Heronj të Kosovës, e idealet e tyre triumfuan mbi qëllimet kriminale të atyre që i vranë.

Kosova ka humbur shumë gra e burra të shkëlqyeshëm, patriotë e intelektualë, gjatë dekadave të luftës për liri. Por, synimet e tyre për Kosovën shtet sovran dhe të pavarur u jetësuan.

Populli i Kosovës do t’i nderojë përjetë figurat dhe vlerat e tij kulmore, që vunë bazat e shtetit tonë demokratik.

Lavdi Heronjve!