Gazetari norvegjez: UÇK ka bërë disa krime, por s’ishte në gjendje të transplantonte organe

Aktuale October 09, 2017 - 23:44

Gazetari Paul Refsdal shprehet i bindur se UÇK nuk ishte në gjendje të transplantonte organe.

Por, ai mendon se mund të jenë kryer krime të tjera.

Norvegjezi Paul Refsdal qëndroi një kohë me UÇK-në. Kështu, ai nuk beson në deklarimet për transplant organesh.

I pyetur nëse UÇK ka kryer ndonjë krim ai ka këtë përgjigje.

“Ndoshta. Jam i sigurt se kanë bërë disa krime, ekzekutime të burgosurish etj por ka edhe gjepura si historia e transplantit të organeve. Është nonsens, sinqerisht. Edhe nëse do të donin ta bënin, nuk i kishin kapacitetet. Doktorët që punonin me UÇK nuk ishin në gjendje të transplantonin organe”, tha Refsdal për Ora News, derisa tregoi se derisa ka qëndruar me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës nuk ka qenë dëshmitar në ndonjë krim lufte.

Ai është i bindur se transplantimi i organeve nuk është bërë duke i quajtur ‘idiotësi’ pohimet e tilla.

“ Carla del Ponte nga OKB thotë që kemi arsye ta besojmë këtë. Ajo është pak e pabesueshme, gjithashtu ka thënë gjëra për Sirinë si për shembull, rebelët kanë përdorur armë kimike kur nuk ka asnjë provë për këtë. Është shumë e vështirë për t’u përballur me këtë. Serbët kanë mite që i besojnë vërtetë, si për shembull ata janë viktimat dhe jo persekutorët. Ata janë viktimat dhe kanë një influencë të madhe sepse i përsërisin shpesh këto mite por kjo puna e transplantit të organeve është idiotësi, jua garantoj dhe nëse arrini të provoni se kjo ka ekzistuar mund ta merrni mëlçinë time dhe ta shisni”, theksoi ai.