Problemet e Listës Serbe me certifikimin për zgjedhje
FOTO: Laura Hasani

Problemet e Listës Serbe me certifikimin për zgjedhje

Aktuale April 24, 2019 - 07:51
Lexoni detajet
Image

Përfaqësuesit e LVV-së në KQZ nuk do të votojnë për certifikimin e kandidatëve të Listës Serbe nëse ky subjekt paraprakisht nuk i plotëson disa pika të kërkuara. Për t’u certifikuar një parti politike nevojiten 2/3 e votave të anëtarëve, respektivisht 8 sosh nga 9 sa janë aktualisht. Rrjedhimisht pa dy votat e LVV-së certifikimi i LS-së është i pamundur të ndodhë, pasi që presidenti Hashim Thaçi ende nuk i ka emëruar të gjithë anëtarët e KQZ-së, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk ka arritur ta përfundojë certifikimin e partive politike për të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore të Kosovës.

Ndonëse anëtarët e KQZ-së votuan rekomandimin e Zyrës për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim (PRPPC) për kandidatët e PDK-së e të LVV-së, nuk vepruan njëjtë edhe me kandidatët e Listës Serbe (LS), shkruan më tutje "Zëri". 

Kjo pasi që përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje në këtë institucion deklaruan se nuk do të votojnë për certifikimin e LS-së derisa kjo e fundit nuk distancohet nga përmbajtja e letërdorëheqjeve të ish-kryetarëve serbë, të cilët i ishin referuar Kosovës me termin “Kosova e Metohija”.

Gjithashtu ata kërkuan që kandidatët e Listës Serbe të zotohen se nuk do të japin dorëheqje në rast rizgjedhjeje, si dhe të ofrojnë dëshmi se do ta respektojnë rendin ligjor dhe kushtetues në Kosovë. Por ndryshe deklaruan anëtarët e tjerë të KQZ-së, të cilët thanë se Lista Serbe duhej certifikuar pasi që ZRPPC-ja ka ardhur në përfundim se LS-ja i ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara.

Si rrjedhojë e mospajtimeve rreth kësaj çështjeje anëtarët e KQZ-së, me propozim të anëtarit të LDK-së Florian Dushit, shkuan në pauzë 10-minutëshe për konsultim, por konsultat mes tyre zgjatën rreth një orë. Pas kësaj mbledhja e KQZ-së nuk vazhdoi më, përkundrazi u shty për sot në orën 11:00, me ç’rast mbledhja do të vazhdojë aty ku ka mbetur, te rekomandimi për certifikimin e Listës Serbe.

ZRPPC: Të tria subjektet plotësuan kriteret për certifikim

Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim (ZRPPC) ka bërë të ditur gjatë mbledhjes së djeshme se tri partitë politike (PDK-ja, LVV-ja dhe Lista Serbe), të cilat kanë aplikuar për certifikim, i kanë plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara.

Gjersa ka paraqitur rekomandimet për certifikimin e partive gjatë mbledhjes, Valmira Selmani, ushtruese detyre e drejtoreshës së ZRPPC-së, ka thënë se Lista Serbe ka aplikuar konform ligjeve përkatëse që kanë të bëjnë me zgjedhjet.

“Zyra ka shqyrtuar dokumentacionin e kësaj partie, e cila ka aplikuar në afatin e paraparë ligjor. Kjo parti politike kandidon në katër komuna. Procesimi i aplikacionit ka rrjedhur brenda afatit të paraparë. Zyra ka konstatuar se është plotësuar dokumentacioni dhe është konform ligjit dhe rregullave në fuqi, prandaj i rekomandon KQZ-së që ta bëjë certifikimin e kësaj partie politike së bashku me kandidatët”, ka theksuar Selmani.

LVV-ja kërkon plotësimin e kushteve për certifikimin e LS-së

Menjëherë pasi ZRPPC-ja ka paraqitur rekomandimin për Listën Serbe ka reaguar anëtari i LVV-së, Adnan Rrustemi, i cili ka thënë se kandidatët e LS-së nuk janë juridikisht të vlefshëm, duke pasur parasysh faktin që tre prej tyre janë ish-kryetarë të komunave përkatëse që kanë dhënë dorëheqje duke iu referuar Kosovës si “Kosova e Metohija”.

“Në rastin konkret ne kemi parë që nga mesi i katër kandidatëve të Listës Serbe tre prej tyre janë ish-kryetarët e këtyre komunave që kishin dhënë dorëheqje. Në këtë aspekt duhet ta evidentojmë që kandidatët në fjalë, së paku tre prej tyre, me dorëheqjet që kanë dhënë, në formën si e kanë dhënë dhe me përmbajtjen e arsyet që kanë thënë, për bindjen time bien në kundërshtim me kushtetutshmërinë në Kosovë dhe rrjedhimisht nuk do të duhej të jenë kandidatë juridikisht të vlefshëm për të kandiduar”, ka deklaruar ai. LS-ja, siç Rrustemi është shprehur, duhet të ofrojë dëshmi shtesë që distancohet nga mënyra e dhënies së dorëheqjeve në fjalë.

“Në formën se si kanë dhënë dorëheqje i referohen Kosovës me emërtim jokushtetues ‘Kosova e Metohija’ dhe me atë përmbajtje këta kandidatë e humbin të drejtën kushtetuese për të qenë kandidatë”, ka potencuar ai.

Gjithashtu Rrustemi ka thënë se LS-ja duhet të distancohet edhe nga ndikimi i drejtpërdrejtë që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po ushtron mbi këtë subjekt. Ndaj ka konsideruar se çështja e kandidatëve serbë duhet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.

“Unë mendoj që kjo çështje duhet të shkojë edhe në Gjykatë. Gjykata Kushtetuese duhet ta thotë fjalën e saj se a kanë të drejtë kandidatët që i janë referuar Kosovës me ‘Kosova e Metohija’ të kandidojnë për zgjedhje”, ka potencuar ai.

Duke marrë parasysh të gjitha këto, Rrustemi ka thënë se LVV-ja nuk do ta mbështesë certifikimin e LS-së. Ndërkaq anëtari i Listës Serbe në KQZ, Stevan Veselinoviq, ka thënë se nuk duhet të jetë problem përzgjedhja e kandidatëve të LS-së nëse ky subjekt ka vendosur ashtu.

“Nëse Lista Serbe i ka propozuar, pasi çdokush e ka këtë të drejtë, unë nuk e shoh këtë problem. Mendoj që këtu nuk ka vend për politikë”, është shprehur ai.

LDK: Të mos e problematizojmë çështjen e certifikimit përtej autorizimeve tona

Teksa ka folur rreth çështjes së certifikimit të Listës Serbe, Florian Dushi, nga LDK-ja, ka thënë se KQZ-ja do të duhej t’i respektonte dispozitat ligjore, të cilat specifikisht i rregullojnë të gjitha aspektet që ndërlidhen me certifikimin e subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre.

“Mund të jetë problematik aspekti etik dhe politik i rikthimit të këtyre kandidatëve, i rikthimit të kandiatëve të cilët në dorëheqjet e tyre kanë provokuar organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, megjithatë konsideroj se ashtu si edhe zyra ka dalë me rekomandimin e saj, si rezultat i shqyrtimit dhe vlerësimit ligjor të dosjeve të tyre të aplikimit, KQZ-ja do të duhej që me respektim të plotë Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme dhe të Ligjit për Zgjedhje Lokale të mos e problematizojë këtë çështje përtej autorizimeve të veta”, ka deklaruar Dushi.

Pas kësaj kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, u ka bërë thirrje anëtarëve të partive politike që të frenohen nga vlerësimet politike dhe të jenë anëtarë të pavarur.

Baraliu: Ata që aplikojnë për certifikim dokumentacionin ta kenë në përputhje me legjislacionin

Gjersa ka folur rreth qëndrimit të LVV-së për të mos e mbështetur certifikimin e LS-së, ish-kryetari i KQZ-së, Mazllum Baraliu, ka thënë se subjektet politike kanë të drejtë që të interesohen maksimalisht për përmbushjen e të gjitha kushteve ligjore dhe nënligjore nga ana e çdo subjekti politik që pretendon të regjistrohet dhe të certifikohet në një proces elektoral.

“Subjekti politik i cili e dorëzon dokumentacionin në Zyrën për Regjistrim dhe Certifikim të Subjekteve Politike do të duhej që gjithë dokumentacionin e duhur ligjor ta ketë në përputhje me legjislacionin përkatës. Nëse dikush, kushdoqoftë, bën ndonjë gjimnastikë politike, në dokumentacion u shmanget obligimeve ligjore dhe formaliteteve ligjore dhe nuk i përmbush kërkesat për t’u regjistruar dhe për t’u certifikuar, atëherë është çështje që nuk duhet të kalojë shkel e shko”, ka theksuar ai.

Në të tilla raste sipas Baraliut duhet që të analizohet detajisht dhe të kompletohet dokumentacioni e tek pastaj të jepet mendimi, gjegjësisht vota e anëtarëve për certifikim.