Kryeministri Hoti kërkon nga KFOR-i koordinim në fushën e sigurisë

Kryeministri Hoti kërkon nga KFOR-i koordinim në fushën e sigurisë

Aktuale August 11, 2020 - 11:01

Kryeministri i Qeverisë i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka mbajtur sot një takim virtual me drejtuesit e institucioneve të sigurisë së vendit, ku është biseduar për gjendjen e përgjithshme në vend dhe për bashkërendimin e veprimeve institucionale në fushën e sigurisë.

Ai ka kërkuar koordinimin me mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë e në veçanti me KFOR-in.

Kryeministri ka falënderuar përfaqësuesit e institucioneve të sigurisë në vend për përkushtimin dhe angazhimin e shtuar të tyre për përballimin e gjendjes së krijuar si pasojë e pandemisë COVID-19, por gjithashtu ka kërkuar që ky përkushtim dhe ky mobilizim i këtyre institucioneve të vazhdojë edhe më tutje, raporton “Zeri.info”.

Pjesëmarrës të këtij takimi ishin: Ministri i Punëve të Brendshme Agim Veliu, ministri i Mbrojtjes Anton Quni, drejtori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës Kreshnik Gashi, komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.

“Në këtë bashkëbisedim kryeministri Hoti i falënderoi përfaqësuesit e institucioneve të sigurisë në vend për përkushtimin dhe angazhimin e shtuar të tyre për përballimin e gjendjes së krijuar si pasojë e pandemisë COVID-19. Po ashtu ai kërkoi që ky përkushtim dhe ky mobilizim i këtyre institucioneve të vazhdojë edhe më tutje, ndërkohë që kërkoi edhe koordinimin me mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë e në veçanti me KFOR-in, si një partner strategjik i Kosovës në fushë të mbrojtjes dhe sigurisë”, thuhet në komunikatën e Zyrës për Informim. /Zëri