Çfarë tregon për lidhjet SHBA-Rusi shpërfillja e paralajmërimit për sulmin në Moskë

Çfarë tregon për lidhjet SHBA-Rusi shpërfillja e paralajmërimit për sulmin në Moskë

Bota March 29, 2024 - 09:36

Në dhjetor 2017, vetëm pak javë para se miliona qytetarë rusë të bëheshin gati ta festonin Vitin e Ri – një ndër festat më të dashura të vendit – agjencia kryesore e inteligjencës ruse njoftoi se e kishte parandaluar një komplot të Shtetit Islamik për të vrarë vizitorët në vendet më të rëndësishme në qytetin e dytë më të madh rus, Shën Petersburg.

Derisa kjo nuk ishte hera e parë që Shërbimi Federal i Sigurisë kishte pretenduar se e kishte parandaluar një sulm terrorist, njoftimi ishte i pazakontë për shkak se ajo e pranonte se nga kush e kishte marrë informatën: Shtetet e Bashkuara.

Madje Kremlini shkoi aq larg saqë tregoi se presidenti Vladimir Putin, një ish-oficer i KGB-së, e falënderoi personalisht presidentin e atëhershëm amerikan, Donald Trump. Një muaj më vonë, drejtorët e tre agjencive kryesore ruse të inteligjencës dhe agjencitë e spiunazhit, e vizituan Uashingtonin, një ndodhi tejet e pazakontë.

Një gjë e ngjashme ndodhi vetëm dy vjet më vonë.

Kjo mund të ketë qenë pika më e lartë e shkëmbimit të informatave mes SHBA-së dhe Rusisë.

Gjashtë vjet më vonë, në fillim të marsit, një paralajmërim për një sulm të “pashmangshëm” terrorist iu bë agjencive ruse të inteligjencës. Madje Ambasada amerikane në Moskë doli publikisht dhe i paralajmëroi qytetarët amerikanë.

Ky paralajmërim papritmas e zemëroi Kremlinin.

Gjatë një takimi më 19 mars me zyrtarët e sigurisë, Putini e pranoi se Rusia e kishte marrë një informatë – po e shpërfilli atë duke e cilësuar si “propagandë të pastër” dhe “shantazh për ta frikësuar dhe destabilizuar shoqërinë tonë”.

Tri ditë më vonë, më shumë se 140 njerëz në sallën e koncerteve Crocus afër Moskës u vranë nga disa burra të cilët shtinë me armë zjarri ndaj pjesëmarrësve në koncert dhe pastaj ia vunë zjarrin ndërtesës.

Ky ishte sulmi më i rëndë terrorist në Rusi në dy dekadat e fundit.

Për disa ish-oficerë të inteligjencës amerikane, faji për bashkëpunim të dobët bie plotësisht mbi supet e Moskës: shërbimet ruse të sigurisë e shohin shkëmbimin e informatave mbi të gjitha si mundësi për përfitime politike dhe strategjike, thonë ata.

Shërbimet ruse të inteligjencës “nuk janë të interesuara për bashkëpunim, por përdorin angazhime të tilla për të zhvilluar informata dhe për të ngacmuar”, tha Douglas London, një oficer i lartë në pension i CIA-s, i cili ishte përfshirë në shkëmbimin e informatave në dhjetor 2017.

“Mashtrohesh nëse mendosh se suksesi në Shën Petersburg është tregues i gjendjes së marrëdhënieve mes [agjencive] të inteligjencës”, tha ai.

Dyshime, pikëpyetje dhe zakone të vjetra

Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, Moska dhe Uashingtoni kërkuan ta gjejnë një mënyrë të re për të shkëmbyer informata në një sërë fushash: terrorizëm, trafikim me njerëz dhe drogë, krime kibernetike dhe aktivitete të tjera të jashtëligjshme.

Përpjekjet për këtë u shtuan shumë pas 11 shtatorit 2011, kur ndodhën sulmet terroriste në Shtetet e Bashkuara.

Putini u bë lideri i parë që i telefonoi Shtëpisë së Bardhë dhe i ofroi ndihmë për atë që Shtetet e Bashkuara e cilësuan si “luftë globale kundër terrorizmit”.

Por, për disa zyrtarë dhe oficerë rusë, heqja e zakoneve të vjetra ishte gjë e vështirë, posaçërisht për ata në ushtri dhe agjencitë e sigurisë. Kjo vlente edhe për Putinin, një veteran i KGB-së i cili e udhëhoqi Shërbimin Federal të Sigurisë, i njohur si FSB, para se të bëhej president.

Kjo ishte plotësisht e vërtetë kur bëhej fjalë për ekstremistët islamikë. Për agjitatorët e Kremlinit, lufta në Çeçeni, ku radikalët islamikë nga Lindja e Mesme fituan bastion në vitet ’90, ishte pikënisja.

Për Kremlinin ishte e dhimbshme kur disa liderë politikë çeçenë, dhe madje militantë, kërkuan strehim në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë.

Moska i cilësonte ata si terroristë. Uashingtoni jo edhe aq shumë.

Rusia u godit nga një sërë sulmesh terroriste dhe vetëvrasëse në vitet 2000. Sulmi më i rëndë ndodhi në shtator 2004, kur sulmuesit çeçenë dhe ingushë e kapën një shkollë fillore në qytetin verior, Beslan, ku i mbajtën peng për gati tre ditë më shumë se 1.100 njerëz, derisa ndodhi tentimi i dështuar për t’i shpëtuar pengjet.

Më shumë se 330 njerëz vdiqën, shumica e të cilëve fëmijë.

Deri kur ndodhi sulmi në sallën e koncerteve Crocus më 22 mars, ai ishte sulmi më vdekjeprurës gjatë presidencës së Putinit – dhe Putini sugjeroi se Perëndimi ka faj pjesërisht.

Një dekadë pas sulmit në Beslan, zyrtarët e inteligjencës amerikane u ankuan për një mungesë bashkëpunimi me homologët rusë gjatë përgatitjeve për Lojërat Olimpike në Soçi më 2014.

Më vonë, Moska e pranoi se SHBA-ja dhe vendet e tjera perëndimore e ndihmuan t’i parandalojë sulmet.

Më 2011, FSB-ja u dha informatë FBI-së dhe CIA-s për Tamerlan Tsarnaev, një burrë i lindur në Çeçeni, i cili, së bashku me vëllain e vet Dzhokhar dhe pjesën tjetër të familjes, morën azil në Shtetet e Bashkuara në vitet 2000.

FSB-ja paralajmëroi se Tsarnaev e kishte përqafuar islamin radikal dhe druhej se ai planifikoi të kthehej në Rusi për t’iu bashkuar një grupi militant. /REL

Shkrimin e plotë mund ta gjeni KETU: