Enis Begolli ende në liri, pritet vendimi i Gjykatës së Apelit

Kronika December 30, 2016 - 21:34

30-vjeçari kosovar, Enis Begolli, i dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës për veprat penale që kanë të bëjnë me “Organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist”, është arrestuar ditë më parë nga Policia kufitare.

Begolli, i cili gjendet në liri dhe ishte në pritje të vendimit nga Gjykata e Apelit për ekzekutim të dënimit prej katër vjetësh gjatë ditës së enjte nuk i është lejuar hyrja në Shqipëri.

Ndërkaq të pyetur nga "Zëri" Policia bëri të ditur se “Lidhur me personin Enis Begolli ju infomoj se në bazë të kallëzimit penal, të ngritur nga DKT-ja, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj tij për veprën penale 'Organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist', nga Neni 143 të KPRK-së. Duke u bazuar në këtë aktakuzë, E. B. është shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe i është shqiptuar dënimi në kohëzgjatje prej katër vjetësh. I njëjti ka qenë dhe vazhdon të jetë në gjendje të lirë, në pritje të vendimit të Gjykatës së Apelit. Më datën 29.12.2016, në pikën kufitare të Vermicës (Morinë) nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë është ndaluar dhe nuk i është lejuar hyrja në territorin shqiptar, me ç’rast është kthyer mbrapsht tek Policia e Kosovës. Meqenëse për të njëjtin nuk ekziston urdhërarrestimi dhe me vendim të Gjykatës është në gjendje të lirë, pas intervistimit të tij ai është liruar. Për informata të tjera drejtohuni gjykatës kompetente", bëri të ditur Departamenti Kundër Terrorizimit, pran Policisë së Kosovës, për "Zërin"