Aktakuzë ndaj një ish-drejtori të Spitalit të Gjakovës, i mundësoi punëtorit të marrë rrogë pa shkuar në punë
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë, kundër të pandehurit me inicialet Z.M.
Sipas aktakuzës, ndër të tjera ceket se i pandehuri me inicialet Z.M., nga muaji janar i vitit 2019 deri në fund të vitit 2023 në cilësinë e personit zyrtar duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, me dashje nuk i ka përmbushur detyrat e tij si Drejtor i Departamentit të Administratës dhe Shërbimeve Ndihmëse në Spitalin e Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të personit tjetër-nëpunësit Xh.Z., në atë mënyrë që i njëjti në kundërshtim me nenin 48 par.2 të Ligjit nr.06/L-114 për Zyrtarët publikë, si mbikëqyrës dhe autoritet kompetent edhe pse ka qenë i njoftuar paraprakisht nga Z.R., për mungesën në punë të punëtorit, i njëjti nuk e ka filluar procedurën disiplinore mbi bazën e fakteve konkrete dhe të provuara për shkeljen e detyrimeve nga nëpunësi Xh.Z., i punësuar në Spital në pozitën Operator në Statistikë, duke i mundësuar të njëjtit të marrë pagën bruto totale prej 21,473.42 €uro pa u paraqitur në punë dhe atë për periudhën kohore 2019-2023, me çka buxhetit të Kosovës i është shkaktuar dëm material.
Në njoftim thuhet se me këto veprime, i pandehuri ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që i pandehuri të shpallët fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë, si dhe ti shqiptohet dënimi plotësues “Ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose shërbimin publik”.