Arrestohet në Belgjikë shqiptari i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje dhe trafik droge
Një shtetas shqiptar është arrestuar në Belgjikë gjatë një operacioni ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, i zhvilluar në bashkëpunim mes autoriteteve shqiptare dhe atyre belge.
Sipas njoftimit nga Policia e Shtetit, i arrestuari është identifikuar si Gerd Gjinarari, 52 vjeç, i cili po qëndronte në Belgjikë me dokumente italiane të dyshuara si të falsifikuara.
Arrestimi është kryer pas shkëmbimit të informacioneve mes Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Policinë e Shtetit dhe specialistëve të INTERPOL në Bruksel.
“Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendim të vitit 2014 dhe Gjykata e Apelit Korçë, me vendim të vitit 2019, kanë vendosur njohjen e vendimit penal të autoriteteve italiane, duke dënuar këtë shtetas, me burgim të përjetshëm, për veprat penale ‘Vrasja me paramendim’, kryer në bashkëpunim, ‘Vrasja me paramendim’, ‘Prodhimi dhe shitja e narkotikëve’, ‘Organizata kriminale’ dhe ‘Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal’.
Vijon bashkëpunimi ndërmjet homologëve të INTERPOL Tiranës dhe INTERPOL Brukselit, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e këtij shtetasi”, thuhet në postimin e Policisë shqiptare.