Koci: Edhe një tjetër qytetar i Kosovës ndalohet nga autoritetet serbe në kufi
Avokati Arianit Koci ka njoftuar se një tjetër shtetas i Kosovës është ndaluar nga autoritetet serbe në pikëkalimin kufitar ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë.
“Mbrëmë, rreth orës 22:30, në pikëkalimin kufitar ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, është ndaluar nga autoritetet kufitare serbe shtetasi i Republikës së Kosovës, Mentor Mustafa (44 vjeç), nga fshati Jasenovik, Komuna e Novobërdës. Në momentin e ndalimit, ai ishte duke udhëtuar me autobus nga Stuttgarti drejt Kosovës, së bashku me vëllain e tij, Fejzullah Mustafën”, shkruan Koci në Facebook.
Gjithnjë sipas Kocit, ndalimi i tij kishte të bënte me letërnjoftimin.
“Sipas deklarimit të vëllait të tij, i cili ka qenë i pranishëm në momentin e ndalimit, autoritetet serbe i kanë bërë me dije se ndalimi lidhej me një letërnjoftim të dëmtuar. Informatën për këtë rast e kam pranuar pas mesnate. Menjëherë pas njoftimit, kam filluar të angazhohem për sqarimin e rrethanave të ndalimit dhe për t’i ofruar ndihmën e nevojshme juridike. Do të vazhdoj të ndërmarr të gjitha veprimet që janë në kompetencën dhe mundësitë e mia për të ndihmuar në zgjidhjen sa më të shpejtë të këtij rasti. Asnjë shtetas i Kosovës nuk duhet të ndihet i vetëm kur përballet me probleme jashtë vendit. Për aq sa kam mundësi, do të jem pranë qytetarëve tanë dhe do të angazhohem për t’u ofruar ndihmën e nevojshme”, shkroi Koci.