Gjatë një muaji, 281 gjoba për përdorimin e telefonit gjatë vozitjes në Ferizaj
Policia Rajonale e Ferizajt ka shqiptuar 281 gjoba ndaj shoferëve që janë kapur duke përdorur telefonin gjatë ngasjes së automjetit gjatë muajit korrik 2026.
Sipas Policisë, përdorimi i telefonit gjatë vozitjes vazhdon të mbetet një nga shkaqet kryesore të aksidenteve në trafik, duke rrezikuar sigurinë e drejtuesve të automjeteve dhe të pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion, transmeton Zeri.info.
“Gjatë muajit korrik 2026, Policia Rajonale e Ferizajt ka shqiptuar gjithsej 281 gjoba ndaj shoferëve që kanë shkelur këtë rregull, duke rrezikuar sigurinë e tyre dhe të pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion”, thuhet në komunikatë.
Policia u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të përqendrohen plotësisht gjatë drejtimit të automjetit dhe të shmangin çdo lloj shpërqendrimi.
“Edhe një sekondë pakujdesie nga përdorimi i telefonit mund të ketë pasoja serioze për jetën e njerëzve”, apelon Policia Rajonale e Ferizajt.
Po ashtu, qytetarët inkurajohen të raportojnë çdo shkelje të rregullave të trafikut në stacionin më të afërt policor, përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë” ose në numrat kujdestarë 192, 0290/326-250 dhe 0290/322-406, me garancinë se konfidencialiteti i të dhënave të tyre do të ruhet. /Zëri