Legjenda e futbollit shqiptar: Kosovarët s’janë tradhtarë (FOTO)

Sport August 22, 2016 - 21:46

Sokol Kushta mendon se disa lojtarë nga Kosova e kanë shfrytëzuar për qëllime të ndryshme aktivizimin te Shqipëria.

Sulmuesi i Kombëtares kuqezi thekson se kosovarët, të cilët u larguan së fundmi, nuk ka askush të drejtë t’i cilësojë si tradhtarë.

Në një intervistë enkas për “Panorama Sport”, Kushta foli për çështjen më të fundit në Kombëtare, por jo vetëm.

Ai preku edhe ndeshjen e fundit të Partizanit, por gjithashtu edhe Flamurtarin, ku nuk ngurroi të lëshonte edhe një batutë.

“Si e shikoj Flamurtarin? As mish, as peshk”, theksoi vlonjati.

Sokol, si një ish-sulmues i Kombëtares, si i keni parë zhvillimet më të fundit, ku disa lojtarë me origjinë nga Kosova kanë lënë Shqipërinë…?

Po të flasim për Kombëtaren, duhet të themi, së pari, që është një piedestal. Te ky piedestal vijnë më të mirët dhe marrin famë. Kjo gjë ndodh me Kombëtaren. Unë nuk jam me shprehjen tradhtar, pasi në Kosovë janë lindur shumica dhe mirë bëjnë që do të luajnë aty. Por, disa kanë shfrytëzuar Kombëtaren tonë për shumë qëllime. Asnjëri nuk ka pasur kurajën të thotë më përpara që “unë, kur Kosova të ketë Kombëtare, do shkoj atje”. Ky quhet karakter. Mua më vjen mirë që këta do përfaqësojnë Kosovën. Mua nuk më vjen keq për asnjë individ. Dua vetëm Kombëtaren time.

Mendoni se kjo çështje do të ndikojë te kuqezinjtë në prag të eliminatoreve?

Sa do ndikojë kjo nuk e di. Kombëtarja ka shumë elementë dhe trajnerë të mirë që besoj se do t’ia dalin.

Për cilin lojtar të larguar ju vjen më shumë keq, për Milot Rashicën, Alban Mehën, Valdet Ramën apo Herolind Shalën?

Shumica e këtyre erdhën pothuajse pa famë në Kombëtare. Tani janë të famshëm dhe të tillë u bën këtu. Duhet t’u thonë një faleminderit personave që u besuan fanellën tonë.

Të kalojmë te futbolli shqiptar. Partizani u mund thellë në Rusi, e prisnit?

Partizani më zhgënjeu për lojën e dobët që bëri. Humbja nuk dhemb kur vjen me dinjitet përballë një kundërshtari të fortë. Por, ky nuk ishte Partizani që duam.

Si e shikoni situatën te Flamurtari, mendoni se do të jetë një sezon i suksesshëm?

Si e shikoj Flamurtarin?! As mish, as peshk. Nuk ka asnjë diferencë nga vitet që kemi lënë pas. Shumë të huaj dhe asgjë në trastë.

Klubi vlonjat nuk ka folur ende për objektivat e sezonit 2016-2017. Ku e shikoni Flamurtarin në kampionat?

Objektivat janë për ato ekipe që kanë motiv, këtu motivi mungon. Pse mungon? Nuk e di. Mbase këta nuk kuptojnë shijen e fituesit si është dhe nuk u bën përshtypje humbja. Kam vite që nuk shoh një talent vlonjat të nxjerrin ekipet zinxhirë dhe pyes: Kush e ka fajin që janë 20 ekipe me trajnerë dhe 0 elementë, në një kohë që Vlora ka qenë një fidanishte për Shqipërinë, ekipet e saj dhe për Kombëtaren?

Më 7 shtator nis kampionati. A do të ndalet hegjemonia e Skënderbeut?

Sërish sivjet do të jenë Skënderbeu, Partizani, Kukësi, Laçi, Tirana, Teuta në luftë për vendet e para. Këto shikohen nga puna që kanë bërë deri tani këto skuadra. Kampionati nuk duhet të fillojë kaq vonë, kjo më ka bërë përshtypje.

Image