Shqiptarët nëpër Evropë po tregohen të suksesshëm thuajse në të gjitha sferat e jetës.
Sa i përket futbollit, Xherdan Shaqiri padyshim që mund të merret shembull nga të rinjtë për suksesin e tij fillimisht me Baselin pastaj edhe me Bayernin ku arriti kulmin duke fituar trofeun më të çmueshëm për klube, Ligën e Kampionëve.
Por një tjetër Shaqiri ka filluar furishëm me suksese në Zvicër, vendi i mundësive për shqiptarët.
Ari Shaqiri, është vëllai i madh i Xherdanit i cili ka filluar të merret me fëmijë dhe ka hapur një akademi të futbollit që e quan ‘Prio Soccer’, që në shqip do të thotë ‘Prioritet futbolli’.
Akademia është hapur tre muaj më parë dhe deri më tani po ka mjaft sukses, pasi në të janë mbi 50 futbollistë.
Në një prononcim për Telegrafin, krijuesi i akademisë ‘Prio Soccer’, Ari Shaqiri tregon për përvojën e tij në këtë drejtim.
“Është një projekt shumë i madh dhe ka filluar me mjaftë sukses në Zvicër fillimisht. Ka tre muaj që është hapur akademia dhe deri më tani kemi mbi 50 futbollistë të regjistruar”, shprehet Ari Shaqiri për Telegrafin.
Në këtë akademi ka futbollistë të talentuar nga të gjitha nacionalitet, por një numër i madh është edhe i shqiptarëve.