“Goditet” Hajvalia dhe futbolli

Sport January 21, 2017 - 12:10

Futbolli kosovar ka pësuar një goditje mjaft të rëndë. Numri i investitorëve në futbollin tonë u zvogëlua edhe më shumë, pasi njëri prej donatorëve më të njohur vendosi ta mbyllë kuletën. Fjala është për bashkëpronarin e Hajvalisë, Ragip Muratin, i cili përfundimisht u tërhoq nga Hajvalia, e cila ka mbetur vetëm në duart e Medës, i cili po ashtu duket se është lodhur duke shpenzuar para në futboll. Murati dhe Meda bashkërisht deri më tani në futboll, përkatësisht në Hajvali, besohet të kenë shpenzuar miliona euro, shkruan sot, gazeta Zeri.

Hajvalia vazhdon të pësojë “goditje” të forta dhe të njëpasnjëshme. Pas krizës financiare, e cila solli largime të zyrtarëve, trajnerëve e mbi të gjitha të futbollistëve, klubi prishtinas e ka pësuar edhe “goditjen” më të rëndë të deritanishme. Kjo pasi njëri nga dy pronarët e këtij klubi ka deklaruar largimin nga Hajvalia. Fjala është për Ragip Murtarin, i cili e la Hajvalinë në duart e bashkëpronarit të deritanishëm të tij, Mehedin Përgjegjajt – Medës.

Investitori i madh i deritanishëm ka sqaruar se largimi i tij nga Hajvalia vjen shkaku i angazhimeve që ka në bizneset e tij në Zvicër, ku edhe jeton ai.

“Unë Ragip Murati njoftoj se nga sot, për arsye të angazhimeve në bizneset e mia, jap dorëheqje nga të gjitha funksionet në klub. Falënderoj bashkëpronarin Mehedin Përgjegjajn – Medën për bashkëpunimin që kemi pasur deri më sot dhe i uroj suksese të mëtutjeshme. Gjithashtu, falënderoj drejtorin e klubit, Xhavit Pacollin, anëtarët e kryesisë, stafin teknik dhe futbollistët për bashkëpunimin gjatë këtyre viteve”, thuhet në dorëheqjen e deklaruar nga Murati.

Shokohet Hajvalia

Ndërkohë, Hajvalia është tronditur nga dorëheqja e investitorit thuajse kryesor, Ragip Muratit. Sidoqoftë, klubi dhe tifozët nuk kishin rrugëdalje tjetër veçse ta pranojnë realitetin dhe ta falënderojnë Muratin për paratë e mëdha që ka derdhur në Hajvali.

“Kryesia e klubit, tifozët dhe gjithë futbolldashësit nuk e kanë pritur aspak mirë lajmin për dorëheqjen e bashkëpronarit Ragip Murati, i cili që nga themelimi i klubit, me investimet dhe punën e tij, arriti që Hajvalinë ta ngrejë në Superligën e Kosovës dhe ekipin e femrave ta dërgojë në Ligën e Kampionëve”, thuhet në komunikatën e Hajvalisë, e cila potencon se falë Muratit shumë të rinj kanë zgjedhur rrugët sportive dhe u janë shmangur rrugëve të këqija.

Sa para kanë shpenzuar Murati e Meda?

Dorëheqja e Ragip Muratit nga Hajvalia nuk është e papritur. Investitori i madh në futbollin kosovar para pak kohësh në një intervistë për “Zërin” kishte theksuar se bashkë me bashkëpronarin e tij, Medën, janë lodhur duke shpenzuar para në futbollin kosovar, gjë që në njëfarë mënyre u paralajmërua largimi.

“Kemi bërë shumë investime deri më sot në klubin e futbollit Hajvalia dhe kemi ardhur në përfundim se nuk ia vlen të investosh shuma të mëdha pa asnjë fitim. Edhe pas pranimit në UEFA e FIFA, edhe nëse bëhesh kampion, përfundimi është shumë i vogël dhe nuk i mbulon as harxhimet e një sezoni”, kishte thënë Murati. “Deri sot në Hajvali i kemi investuar 2.5 milionë euro, ndërsa ata që flasin dhe na kritikojnë nuk e kanë investuar as 1 euro. Tash jemi duke punuar pak për vete dhe kemi bërë investime në ndërtim në Zvicër”, kishte sqaruar Murati distancimin e tij dhe të Medës nga Hajvalia, e cila viteve të fundit ishte shndërruar në një “parajsë” për futbollistë, të cilëve përveç pagave të majme, nuk u mungonte asgjë në klubin që në edicionin e kaluar përfundoi si nënkampion. Kurse, tani gjendet në fund të Superligës pa shpresa për të mbijetuar në Superligë./ZERI/.