Testi i fundit para Malit të Zi

Testi i fundit para Malit të Zi

Sport October 10, 2019 - 08:32
Detajet

Kosova do ta zhvillojë sot testin e fundit para ndeshjes së rëndësishme ndaj Malit të Zi, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian të hënën, shkruan zeri.info

“Dardanët” do të përballen ndaj Gjibraltarit në një ndeshje miqësore që do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës prej orës 18:00.  

Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes duke dashur t’i mbajë lojtarët të motivuar dhe në asnjë mënyrë ta nënçmojë kundërshtarin, ka thënë se sfida  sotme është një test shumë i rëndësishëm, madje sipas tij kjo ndeshje edhe do ta nxjerrë ekipin e parë që do të paraqitet në sfidën ndaj Malit të Zi, që luhet ditën e hënë dhe është ndeshja pothuaj kryesore për Kosovë në eliminatoret për Kampionatin Evropian.

Në stërvitjen e djeshme ekipi ka qenë komplet ku skuadrës i është bashkuar edhe Vedat Muriqi i cili mungoi një ditë më parë për shkak të shqetësimeve gripale.

I rregullt ka qenë edhe Milot Rashica por duket se ai nuk do të luajë sot për shkak që trajneri nuk dëshiron të rrezikon,  dhe do që ai të jetë 100% në sfidën e së hënës.

Kush nuk e jep  më të mirë ndaj Gjibraltarit do të ketë telashe më mua

Në konferencën e fundit për medie para ndeshjes me Gjibraltarin, janë paraqitur përzgjedhësi Bernard Challaandes dhe mesfushori Anel Rashkaj. Tekniku zviceran i Kosovës ka thënë se ndeshja ndaj Malit të Zi është shumë e rëndësishme dhe se është një parapërgatitje për Malin e Zi. Sipas tij nga Gjibraltari do të nxirret ekipi më i mirë që do të luajë në ndeshjen ndaj Malit të Zi.

"Po e përsërisë, ndeshja me Gjibraltarin është ndeshje e mirë dhe përgatitje për Malin e Zi. Nga kjo ndeshje dua të shoh gjithçka. Formën e lojtarëve, agresivitetin dhe dëshirën për lojë. Pra nuk është ndeshje e lehtë, është shumë e rëndësishme dhe është përgatitje për ndeshjen me Malin e Zi. Unë e respektoj Gjibraltarin dhe dua më të mirën nga ekipi. Nëse vërej që ndonjë lojtar nuk e ka dhënë më të mirën nga vetja në ëktë takim do të ketë telashe me mua", tha Bernard Challandes, i cili ka paralajmëruar ndryshime në formacion në këtë ndeshje, madje duke filluar nga porta që i bie që Samir Ujkani mund të jetë titullar në këtë takim.

Rashkaj: Me Gjibraltarin duhet ta ruajmë vazhdimësinë

Mesfushori i Kosovës, Anel Rashkaj sikurse trajneri Challandes ka thënë se sfida e sotme do të jetë një rast i mirë për disa lojtarë që kanë pasur më pak minutazh por në asnjë mënyrë nuk duhet që sfida e sotme nuk ka peshë të madhe. “Çdo ndeshje është e rëndësishme e edhe kjo ka rëndësi të madhe. Disa lojtarë që nuk kanë pasur shumë minutash besoj që do të kenë mundësi më të madhe. Unë nuk pres asgjë nëse luaj apo jo. Jam gati për çdo situatë. Kam pasur ndeshje kur kam luajtur 5 minuta e disa tjera më shumë, për mua është me rëndësi të jem gati kur të më jepet rasti. Gjibraltari është ndeshje që duhet respektuar. Ne nuk jemi në atë nivel që t’i nënçmojmë kundërshtarët pra në çdo takim duhet dhënë më të mirën për fitore”, ka deklaruara Anel Rashkaj.

Ndeshja Kosova – Gjibraltari zhvillohet sot nga ora 18:00, ndërsa ajo do të gjykohet nga gjyqtari shqiptar Junxhin Xhaja./Zëri