Numërohen mbi 58% të votave me postë, KQZ-ja jep detaje për procesin
Foto: Laura Hasani

Numërohen mbi 58% të votave me postë, KQZ-ja jep detaje për procesin

Zgjedhjet 2026 June 16, 2026 - 09:26

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se po vazhdon procesi i numërimit të fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht votimi përmes postës, për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Sipas të dhënave të publikuara, sot në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë numëruar 131, nga gjithsej 223 kuti votimi, që përbën 58,74 për qind të procesit, transmeton Zeri.info.

KQZ-ja bëri të ditur se, pas procesit të vlerësimit, zarfet që përmbanin fletëvotime janë sistemuar në 223 kuti votimi sipas komunave nga të cilat vijnë votuesit e regjistruar.

Votimi përmes postës ishte i hapur nga 21 maji deri më 6 qershor 2026, ndërsa rreth 105 mijë shtetas të Kosovës ishin regjistruar për të votuar në këtë mënyrë.

Një ditë më parë, KQZ-ja përfundoi procesin e vlerësimit të 85.790 pakove të supozuara me fletëvotime. Nga to, 82.809 janë aprovuar, ndërsa 2.981 janë refuzuar.

Sipas KQZ-së, këto pako janë tërhequr nga kutitë postare të institucionit në 22 shtete të ndryshme, si dhe nga kutia postare e KQZ-së në Kosovë.

Procesi i numërimit të votave nga diaspora po vazhdon në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, ndërsa rezultatet do të publikohen pas përfundimit të të gjitha procedurave të parapara. /Zëri