Macron në Beograd: Kosova në Kushtetutën serbe nuk i përgjigjet realitetit! Rama nuk përmendet

Macron në Beograd: Kosova në Kushtetutën serbe nuk i përgjigjet realitetit! Rama nuk përmendet

Aktuale July 16, 2019 - 21:42
Lexo tjera detaje

Presidenti i Francës, Emannuel Macron, ka folur me tone të vendosura gjatë vizitës në Serbi rreth marrëveshjes Kosovë –Serbi e cila sipas tij do të arrihet në muajt në vijim me angazhimin e tij personal dhe të kancelares Merkel.

Macron gjatë fjalimeve të tij në Beograd i ka dhënë zemër Vuçiqit që të arrijë marrëveshje me Kosovën. Para një numri serbësh Macron ka thonë se Vuçiq është treguar guximtar kur është në pyetje marrvëshja me Kosovën dhe është i gatshëm për të shkuar tutje. Macron po ashtu e ka theksuar se edhe nga pala kosovare kërkohet guxim duke e potencuar se historia nuk do të kthehet prapa.

Ndërsa gjatë konferencës në Presidencën e Serbisë Macron e ka lëvduar përsëri Vuçiqin që ka thënë se fakti që Kosova është në kushtetutën e Serbisë nuk korrespondon me atë cka mendojnë europianët.

“ Ju e keni një president, me të cilin mund të pajtoheni ose jo, por i cili e ka pasur guximin ta thotë para përfaqësuesve nacionalë që: ‘Ajo që është në kushtetutë nuk korrespondon me atë që partnerët tanë evropianë e mendojnë” ka theksuar ai.

Macron duke folur për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dy vendet i ka quajtur vende fqinje të cilat duhet t’i rregullojnë raportet ndërsa ka premtuar se edhe vetë do të angazhohet që të arrihet marrëveshja. Po ashtu ka kërkuar që asnjëra palë të mos bëjë hapa të njëanshëm.

“E them vetëm që do ta vendosi tërë energjinë time, që kjo mundësi të ndodh dhe që eskalimi të mos ndodh. Sepse besoj thellësisht në stabilitetin e këtij rajoni dhe marrëveshja që duhet të ndodh ndërmjet Serbisë e Kosovës duhet të jetë një marrëveshje strukturuese për këtë rajon. Sepse mendoj thellësisht që presidenti juaj ka të drejtë kur thotë se e ardhmja e Serbisë qëndron në kapacitetin e saj për ta konstruktuar një marrëveshje të tillë” ka theksuar ai.

Më pas ai ka thënë se Europa përfundimisht duhet ta dëshmojë se mund ta sigurojë e vetme marrëveshjen për Kosovën dhe se kjo është test i vërtetë për këtë.

“Dhe siç ju thash sepse besoj thellësisht në Evropë. Mendoj se është test i kredibilitetit per vet Evropën për të parë nëse ajo është e zonja që t’i mundësojë marrëveshjet e tilla ndërmjet kombeve të mëdha, në Evropë. Pra, do ta bëj me shumë vendosmëri, energji dhe përulësi sepse janë çështje të komplikuara, sepse prekin një histori që është e vonë, sepse çelësi i zgjidhjes është tek udhëheqësit dhe tek popujt. Por e bëj me shumë konsideratë për popujt në fjalë. S’jam këtu për të dhënë leksione, por për t’ju ndihmuar”.