Ymeri thotë se ministri i Financave po manipulon me shifrat mbi papunësinë

Ymeri thotë se ministri i Financave po manipulon me shifrat mbi papunësinë

Aktuale May 06, 2020 - 14:42

Anëtari i Partisë Socialdemokrate, Visar Ymeri, e ka akuzuar ministrin e Financave, Besnik Bislimi, në lidhje me numrin e personave të papunë në vend

Reagimi i Ymerit vjen pas deklaratës së Bislimit, i cili ka thënë se asnjëherë që nga viti 1999 shkalla e papunësisë nuk ka qenë më e ulët sesa tash në kohë pandemie.

Sipas Ymerit, Bislimi është duke manipuluar me shifrat po ashtu edhe po keqinformon, përcjell “Zëri.info”.

“Ministri i Financave dhe i Transfereve, Besnik Bislimi, paska deklaruar se papunësia na qenka ulur për 6,6% (që i bie 1.8 pikë të përqindjes) gjatë këtij muaji. Aferim. Ky vërtet do të kishte qenë një sukses i madh. Po të kishte qenë i vërtetë. Por jo. Ministri këtu luan me numra në mënyrë goxha manipulative dhe keqinformuese. Së pari, natyrisht që është e pamundur që papunësia të bjerë në mes të mbylljes totale të aktivitetit publik për shkak të pandemisë. Këtë e di e tërë bota. Sigurisht se e di edhe z. Bislimi. Së dyti, nëse papunësia na paska rënë për 6,6%, atëherë ky do të kishte qenë rezultat i politikave ekonomike të qeverive të kaluara, kur e kemi parasysh se kjo Qeveri është në pushtet prej fillimit të shkurtit, ndërsa ministri po flet për muajin prill”, ka thënë ndër të tjera Ymeri.

Anëtari i PSD-së e ka quajtur po ashtu të tepërt dhe naiv mendimin se me një muaj mirëqeverisje mund të ndikosh në papunësinë në vendin tonë.

“Është më tepër se naive të mendosh që mund ta ndikosh papunësinë me një muaj mirëqeverisje (edhe kur kjo është superqeverisje, siç po e mendojnë zyrtarët qeveritarë). Edhe këtë besoj e di z. Bislimi. Por në të vërtetë Bislimi këtu po i referohet regjistrimit të punëtorëve nga kompanitë për të marrë pjesë në programin e përfitimit nga Pakoja Emergjente. E këtu fillon problemi me këtë krekosje të ministrit. Sepse këta punëtorë që po regjistrohen sigurisht se janë një pjesë e atyre punëtorëve që kanë qenë të punësuar pa kontrata. Dhe këta tash po regjistrohen. Mirë shumë. Por kjo nuk është ulje e papunësisë. Ky është reduktim i ekonomisë ‘në të zezë’. Përgjithësisht reduktim i kërkesës agregate”, ka thënë më tej Visar Ymeri.

Më tutje anëtari i PSD-së thotë se këta të regjistruarit e rinj kur kanë qenë të punësuar pa kontratë “sigurisht se rrogën mujore e kanë pasur më të madhe sesa 170 euro sa do t’i marrin për muaj nga Pakoja Emergjente”.

Sipas tij, me shifrat aktuale të të punësuarve na del që ekonomia jonë do të ketë shumë më pak qarkullim sesa që ka pasur deri para pandemisë.

“Dhe kjo do të jetë rënie ekonomike, e cila do të na e thellojë papunësinë (dhe varfërinë)”, tha Ymeri.

Për më tepër, Visar Ymeri thotë se manipulimi nuk përfundon këtu. Kjo pasi, sipas tij, ministri i Financave deklaron se bizneset kanë deklaruar 9946 punëtorë të rinj, ndërsa largim të vetëm 1268 të punësuarve gjithsej.

“Por çka ndodh me ata të punësuar që nuk kanë qenë të lajmëruar fare? Largimi i tyre nga puna nuk regjistrohet, sepse nuk kanë figuruar kurrë si të punësuar. Sipas një hulumtimi të Akademisë së Shkencave dhe Arteve, numri i punëtorëve të paregjistruar në Kosovë shkon deri në 35% të numrit të përgjithshëm të punëtorëve (Analizë e ekonomisë gri në Kosovë, ASHAK 2019). Prej nga këtë siguri ministri që numri i të larguarve realisht nga puna (e jo sipas shifrave zyrtare) nuk është shumë më i madh. Dhe çka nëse kur ta kalkulojmë edhe këtë na del që në të vërtetë sot kemi shumë më pak të punësuar sesa që kemi pasur (bashkë të regjistruar dhe ‘në të zezë’)”, pyet Ymeri.

Megjithatë, anëtari i PSD-së thotë se gjendja aktuale ekonomike nuk është përgjegjësi e kësaj qeverie, por është “kombinim i efekteve të pandemisë dhe keqmenaxhimit afatgjatë ekonomik” dhe shton se kjo gjendje nuk mund të sanohet brenda natës.

Thotë se pikërisht këtu qëndron problemi me këtë “manipulim të Bislimit – duke dashur të bëjë propagandë për ‘suksesin’ e tij si ministër i qeverisë së tij, ai e ndërton një pasqyrë mashtruese e cila e kamuflon të kaluarën, e shpërqendron të tashmen dhe e devijon të ardhmen”.

“Sepse kjo mënyrë e të menduarit ka për qëllim të thotë që dështimet ekonomike nuk janë si rezultat i politikave të dëmshme por i keqmenaxhimit. Pra çka na duhet është menaxher më i mirë (i numrave) që do të sjellë rezultate më të mira me politikat e njëjta. Bislimi e din, ose së paku Kryeministri do të duhej ta dinte, që në Kosovë kemi problem me modelin ekonomik së pari, e pastaj me keqmenaxhimin”, përfundoi Visar Ymeri.

Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, deklaroi gjatë ditës së djeshme se qeveria “Kurti” është në rrugë të mbarë për uljen e shkallës së papunësisë në nivel vendi, përderisa shumica e vendeve në botë janë duke u përballur me nivelin me të lartë të papunësisë për shkak të pandemisë.

Përmes një statusi në “Facebook” Bislimi tha se “deri më tani në aplikimet e tyre për masën 3, 8 dhe 14 të Pakos Emergjente të Qeverisë së Republikës së Kosovës ndërmarrjet e vendit kanë regjistruar gjithsej 9.946 punëtorë të rinj, ndërsa kanë lajmëruar se kanë larguar nga puna 1.268 punëmarrës”.

“Sipas statistikave zyrtare, në fund të vitit që lamë pas 130.289 individë kanë qenë të regjistruar si të papunë dhe shkalla zyrtare e papunësisë ka qenë 25,9%. Ndryshimi mes të regjistruarve të rinj dhe atyre që kanë humbur vendin e punës bën që numri i të papunëve brenda vetëm një muaji të ulet për 6,6%, që përbën uljen më të madhe në 20 vjetët e fundit. Kjo nëse merret si ndryshimi i vetëm në këtë periudhë nënkupton që shkalla e papunësisë zyrtare (ende e nënvlerësuar) do të binte në nivelin e 24,1%”, shkroi Bislimi.

Sipas tij, që nga viti 1999 shkalla e papunësisë në Kosovë kurrë nuk ka qenë më e ulët se 24,5%.