Nga 1 qershori lejohen vizitat familjare për të burgosurit në Kosovë

Nga 1 qershori lejohen vizitat familjare për të burgosurit në Kosovë

Aktuale May 26, 2020 - 14:03

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se nga data 1 qershor do të fillojë me lejimin e vizitave familjare për të burgosurit, transmeton “Zeri.Info”.

Në njoftim për medie SHKK-ja ka bërë të ditur se gjatë vizitave secili vizitor është i obliguar të dezinfektohet në hyrje të institucioneve korrektuese e po ashtu me vete duhet të ketë maskë dhe doreza mbrojtëse.

“Gjatë vizitës së tyre secili vizitor është i obliguar të dezinfektohet në hyrje të institucioneve korrektuese e po ashtu me vete duhet të ketë maskë dhe doreza mbrojtëse. Si masë lehtësuese, do të fillojmë me pranimin e vetëm dy (2) anëtarëve të ngushtë të familjes dhe gradualisht do të rrisim edhe numrin e vizitorëve”, thuhet në njoftim.

Shërbimi Korrektues i Kosovës thotë se ky lehtësim i masave është bërë në bashkëpunim me Departamentin Shëndetësor të Burgjeve.