Deklarata e psikologes: Deputetët kanë deficit të komunikimit dhe mirësjelljes

Deklarata e psikologes: Deputetët kanë deficit të komunikimit dhe mirësjelljes

Aktuale August 07, 2020 - 17:56
Image

Diskursi dhe sjelljet, me të cilat përfaqësues të caktuar të partive politike shërbehen në paraqitje publike, e edhe në Kuvend, reflekton mungesën e intelektualizmit në politikë.

Donika Shahini Lami, psikologe klinike thotë për “Zërin” se mënyra se si komunikojnë deputetët, por edhe politikanët e tjerë, tregon se ata kanë një deficit të kulturës gjuhësore, të komunikimit dhe mirësjelljes.

Sipas saj shpesh herë deputetët tonë i karakterizon një gjendje psikike jo stabile. “Zgjidhja e problemeve dhe e situatave problemore është e varur nga të menduarit dhe nga proceset e tij. E të menduarit shpesh herë u mungon të zgjedhurve tonë. Flasin pa menduar fare, fatkeqësisht”, thotë ajo për “Zërin”.

Profesoresha universitare Shahini-Lami thotë se deputetët e Kosovës nuk kanë respekt dhe kujdes për publikun që i drejtohen. Gjuha e tyre e përdorur, ajo thekson se është e papranueshme dhe e ulët. “Fatmirësisht jo nga të gjithë. Do të ishte mirë sikur kolegët e tyre të distancoheshin nga kjo gjuhë, që thotë të pavërteta, informata të paverifikuara që mund të cilësohen paragjykime dhe shpesh herë edhe shpifje”, tha Shahini-Lami.

Degradimi i fjalorit të deputetëve në Kuvendin e Kosovës, sipas saj se po thyen të gjitha rregullat e paraqitjes publike, si dhe ligjet në fuqi.

“Debat degradues, gjuhë ofenduese që pothuajse e dëgjojmë në çdo seancë të Kuvendit të Kosovës. Rastet e fundit kur disa deputet përdorin fyerje nga më të ndryshmet dhe më poshtërueset, vënë në pah mungesën themelore mbi njohjen e rregullave të debatit, në veçanti atij parlamentar me replika shterpë, krejtësisht monotone dhe pa përmbajtje cilësore”.

Sipas Shahinit-Lami Kuvendit i ka humbur seriozitetit dhe imazhi normal, për shkak të gjuhës së tillë degraduese gjatë seancave, e që tregon për mungesën e vetë integritetit të këtyre deputetëve.

“Edhe në diskutimet e tyre të përditshme kjo është gjuha, me të cilën shumë prej tyre komunikojnë dhe është vështirë tash që ata të komunikojnë me një gjuhë tjetër kur janë brenda seancës parlamentare dhe në komunikim të drejtëpërdrejtë me publikun. Pra, i kthehen asaj çfarë dinë ta bëjnë më së miri dhe jo që me argumente të arrijnë ta kundërshtojnë njëri – tjetrin, duke mbrojtur pikëpamjet e tyre politike. Mënyrën se si komunikojnë deputetët, tregon se kanë një deficit të kulturës gjuhësore, të komunikimit dhe mirësjelljes. Kjo po duket se po vjen edhe prej një vetëbesimi të tepruar të tyre, por që në thelb bazën e ka tek jo përgatitja e tyre profesionale, jo lexueshmëria, përfshirë këtu faktin se një pjesë dërmuese e tyre as që dinë të lexojnë atë që pretendohet se e kanë shkruar vetë”, thotë psikologia Shahini-Lami

“Gjuha e tyre në Kuvend tregon nivelin qesharak dhe mjerues të deputetëve”

Në deklaratën e saj për “Zërin” ajo thekson se deputetët paraqiten me një vetëbesim të pabazuar, me informata të paverifikuara dhe me nivel krejtësisht jo adekuat për pozitat e tyre.

“Njëfarë ‘autoritarizmi’ mbrapa të cilit fshihen, me arrogancën prej pushtetari dhe krejtësisht të dëmshme për mesazhin që përçojnë. Për këtë gjuhë kaq degraduese që janë duke e përdorur, ata japin shembullin më të keq në shoqëri.....”, thekson ajo duke shtuar se tërë fjalimet e tyre (deputetëve) përbëhen nga jo më shumë se njëzet deri njëzet e pesë fjali të cilat përseriten nga gjysma e sojit të tyre.

"Kriminel", "hajn", "mashtrues", "po rren", "mbylle gojën", "shpifës", janë vetëm disa nga etiketimet që deputetët e Kuvendit të Kosovës i bëjnë njëri-tjetrit pothuajse në çdo seancë.

Kjo kryekëput është formë, siç thotë Shahini-Lami për t’i ikur argumenteve dhe informatave të drejta.

“Deputetët e Kosovës janë larg së bëri punën e tyre për çka janë zgjedhur nga populli. Ata duhet të kenë parasysh se qytetarët nuk i kanë zgjedhur për t’i parë se si po fyhen me njëri-tjetrin, ose kush kënd po e ofendon më shumë, por për t’i përfaqësuar dinjitetshëm dhe për t'iu ofruar zgjidhje për problemet e shumta që neve po i jetojmë fatkeqësisht çdo ditë. Gjuha e tyre në Kuvend tregon nivelin qesharak dhe mjerues të deputetëve”, thotë ajo.

Në mungesë shqyrtimi e procedimi të ligjeve, në mungesë debati me argumente e ofrim të alternativave, gjë për të cilën paguhen e marrin mëditje, deputetet Shahini-Lami thotë se zgjedhin fjalor jo parlamentar duke e shndërruar kuvendin në një arenë fyerjesh. /Zëri

Image