Dardan Sejdiu deklarohet rreth mundësisë që të jetë nënkryetar i Prishtinës
Foto: Zëri

Dardan Sejdiu deklarohet rreth mundësisë që të jetë nënkryetar i Prishtinës

Aktuale January 26, 2022 - 19:17

Ish-nënkryetari i Komunës së Prishtinës në mandatin e parë qeverisës të Lëvizjes Vetëvendosje me kryeqytetin, Dardan Sejdiu, ka folur rreth mundësisë që të jetë nënkryetar i ardhshëm i kryeqytetit.

Në një postim në Facebook, ai ka hedhur poshtë një mundësi të tillë, ndërsa reagimi i tij vjen pas zërave të ditëve të fundit se ai do të jetë i dyti i Prishtinës, por tash jo nga LVV-ja, por nga PDK-ja.

“Tash e sa ditë emri im është përfol për Nënkryetar të Prishtinës. Si propozim i mundshëm do të më nderonte duke e marrë parasysh dashninë që e kam për qytetin dhe punën që e kam bërë në të kaluarën në Komunë. Por, unë nuk do të jem nënkryetar i Prishtinës”, u shpreh Sejdiu përmes një statusi në “Facebook”, raporton Zeri.info.

Ai theksoi se rikthimi i tij në politikë, “nëse ndodh, do të jetë i fokusum tek angazhimi e puna ekipore me projekt të qartë politik”.

“Ky angazhim në thelb do ta ketë zhvillimin shoqënor e ekonomik me theks agjendën digjitale e të gjelbër. Angazhim që synon të ndërtojë mirëqenie, mbrojtje e trajtim të drejtë e të barabartë për të gjithë qytetarët”, shtoi Sejdiu.

Deri atëherë, ai tha se do të vazhdojë të jetë i angazhuar në projekte profesionale.

Në fund, ai pati një porosi për të gjithë. “Ndërsa ju të gjithë kujdesuni për veten dhe të afërmit tuaj. Sa ma pak telashe dhe sa ma shumë dashni mes nesh. Faleminderit të gjithëve për mirëkuptim”. /Zëri