Kosova në betejë kundër amendamenteve të Serbisë, para votimit në Asamblenë Parlamentare të KiE-së

Kosova në betejë kundër amendamenteve të Serbisë, para votimit në Asamblenë Parlamentare të KiE-së

Aktuale April 16, 2024 - 10:36

Delegacioni i Kosovës, që po qëndron në Strasburg, ka bërë të ditur se janë para një beteje për të mos kaluar amendamentet që janë propozuar nga delegacioni serb.

“Për pak do të kemi edhe një betejë, atë të mos votimit të 16 amendamenteve, shumica të iniciuara nga delegacioni serb”, ka thënë Besnik Tahiri, i cili është pjesë e delegacionit të Kosovës në Këshillin e Evropës, transmeton Zeri.info.

Ai gjithashtu është shprehur optimist, duke thënë se presin që edhe në Asamblenë Parlamentare të kenë 2/3 e votave dhe të kalojë me sukses anëtarësimi i Kosovës drejt Këshillit të Ministrave.

Sipas tij, me anëtarësimin e Kosovës fitojnë të gjithë.

“Në të dyja takimet në Komitete, në atë për Barazi dhe Mosdiskriminim dhe në Komitetin për Çështje Ligjore dhe Drejta të Njeriut, diskutimet dhe votimet treguan se shumica dërrmuese janë në anën tonë. Në të parin votimi ishte i qartë, 30 vota ishin për, 2 kundër dhe 4 abstenime, ndërsa në të dytin, në Legal 23 vota për dhe 3 kundër. Ky trend i votimit tregon saktë se 2/3 e votave janë reale për votimin e sotshëm”, tha Tahiri.

“Gjatë diskutimeve theksova se Kosova i plotëson standardet dhe kushtet. Këtë e kanë thënë tashmë juristët eminentë dhe të tri raportueset. Anëtarësimi i Kosovës u hap rrugë edhe minoriteteve për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre. Është WIN-WIN, fitore e të gjithëve”, u shpreh ai. /Zëri