Osmani takohet me Hovenierin, flasin për ndalimet e arrestimet e kosovarëve nga Serbia

Osmani takohet me Hovenierin, flasin për ndalimet e arrestimet e kosovarëve nga Serbia

Aktuale April 18, 2024 - 17:23

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim të rregullt ambasadorin e SHBA-së, Jeffrey Hovenier.

Fillimisht Hovenieri e përgëzoi Osmanin për mbarëvajtjen e Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, duke vlerësuar përkushtimin e saj dhe të Kosovës për ta avancuar këtë agjendë në vend, si dhe në rrafshin ndërkombëtar.

Po ashtu, u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në vend, ku Osmani potencoi shkeljen serioze të të drejtave të njeriut dhe marrëveshjes për lirinë e lëvizjes nga ana e Serbisë, përmes ndalimit të qytetarëve të Kosovës në zonat kufitare dhe trajtimit të papranueshëm të tyre, si dhe arrestimet e paligjshme të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

“Në takim gjithashtu u diskutua lidhur me procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës si dhe për përgatitjet që po bëhen për mbarëvajtjen e procesit të votimit që do të mbahet këtë fundjavë në veri të vendit”, thuhet në komunikatë. /Zëri