Afati për presidentin po afron, cili është qëndrimi i AAK-së?
Foto: Laura Hasani

Afati për presidentin po afron, cili është qëndrimi i AAK-së?

Aktuale April 16, 2026 - 13:03

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj, ka konfirmuar sërish qëndrimin e partisë së saj se nuk do të votohet asnjë emër kandidat për president nga LVV-ja.

Kadrijaj në një prononcim për KlanKosova tha se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të konsideronte votë për president vetëm nëse propozohet një figurë konsensuale me bagazh historik dhe kombëtar.

“Pa dalë një emër në publik, ne nuk mundemi me diskutu se a do e përkrahim apo jo. Për momentin AAK nuk ka votë për kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe nuk do të ketë votë për kandidatët e LVV, vetëm në rast se është ndonjë figurë tepër konsensuale dhe me një background historik dhe kombëtar atëherë ulemi dhe bisedojmë, por në këto kushte dhe në këto rrethana AAK nuk ka votë për presidentin”, tha Kadrijaj.

Ndërkohë, nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë bërë të ditur se nuk ka asnjë marrëveshje me partinë në pushtet lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit. Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës sot mban mbledhjen e grupit parlamentar, nga e cila pritet të dalë një qëndrim zyrtar për këtë temë.

Kujtojmë se data e fundit për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës është 28 prilli sipas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese.