Prevot: Do të avokojë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës tani
“Do të avokojë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës tani”. Kështu premtoi zëvendëskryeministri belg dhe ministri i Punëve të Jashtme, Maxime Prévot pas takimit që pati me homologun kosovar, Glauk Konjufca.
“Duke folur për Këshillin e Evropës, në mënyrë aktive do të avokojë për anëtarësimin tuaj, jo në të ardhmen, por tani është koha. Belgjika mbetet e përkushtuar që të fuqizojë dialogun bilateral dhe të thellojë bashkëpunimin policor të integrimit, veçanërisht duke pasur parasysh rëndësinë e madhësisë së diasporës kosovare në Belgjikë”, tha ai në konferencën për media.
“Vizita ime poashtu tregon angazhimin konkret të Belgjikës në Kosovë”, tha ai. “Të nderuar koleg, llogarisni në mua që jam mbështetës i fuqishëm i juaji dhe mesazhi im për Qeverinë dhe njerëzit tuaj është i qartë: anëtarësimi në familjen e Bashkimit Evropian mbetet një perspektivë e besueshme dhe Belgjika është e gatshme që edhe më tej të mbështes aplikacionin tuaj”, ka përfunduar ai.
Ai ka potencuar se do të vazhdon të ngrisë në diskutime nevojën e mbështetjes së Kosovës drejt familjes euro – atlantike. Ai tha se është i vetëdijshëm që duhet përafrim me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së.
Prévot nënvizoi se është e pamundur të flitet për integrimin evropian, pa parë stabilitetin rajonal dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës e Beogradit. Ai tha se sot po jep mesazhin e njëjtë që ka dhënë dje në Serbi.
“Belgjika mbështet plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE dhe angazhimi i vazhdueshëm dhe progresi i prekshëm i marrëveshjeve janë të domosdoshme për stabilitetin rajonal dhe për të ardhmen evropiane të Kosovës. Progresi i vazhdueshëm drejt normalizimit kërkon vëmendje të qëndrueshme për të zbutur tensionet, veçanërisht në veri”, tha ai.
“Do të doja të ripohoj mbështetjen tonë politike të fuqishme dhe përkushtimin më të gjatë ndaj Kosovës. Unë shpresoj një stabilizim të shpejtë të institucioneve të vendit. Stabiliteti politik i vendit e dimë se është çelësi”, tha ai.
“Ne kemi pasur diskutime frytdhënëse në lidhje me shkëmbimet, në mes të cilave edhe marrëdhëniet bileterale dhe integrimin evropian e natyrisht stabilitetin rajonal. Unë vlerësoj përpjekjet tuaja, të cilat duhet të komentohen e mbështeten, Kosova meriton vëmendje të vazhdueshme e mbështetje. Është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që ende nuk iu është dhënë statusi i kandidatit formal, një situatë që paraqet realitetin politik në vend dhe ambicjet evropiane nga ana e Kosovës”, tha ai duke folur për takimet që pati me kryeministrin, Albin Kurti dhe homologun e tij, Glauk Konjufca.
Pas kësaj konference, Prevot do të takohet edhe me u.d. presidenten e vendit, Albulena Haxhiun. /rtk