Kosova drejt blerjes së helikopterëve “Black Hawk”, Maqedonci: Nuk janë më sistem kritik, por mbeten të nevojshëm
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se Kosova është në fazën përfundimtare drejt realizimit të kontratës për blerjen e helikopterëve “Black Hawk”.
Ai në emisionin "Context" në ATV theksoi se gjatë vizitës së komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Iowa, janë vendosur kontakte me Gardën Kombëtare të Iowas, e cila ka ofruar mbështetje në përgatitjen për pranimin e helikopterëve, përfshirë mirëmbajtjen dhe aspektet dokumentare, transmeton Zeri.info.
Sipas Maqedoncit, institucionet janë në koordinim të vazhdueshëm me kompaninë prodhuese të helikopterëve për të finalizuar detajet e kontratës, e cila pritet të nënshkruhet së shpejti.
Megjithatë, ai vlerësoi se, ndonëse helikopterët mbeten të rëndësishëm për kapacitetet e ushtrisë, zhvillimet e fundit në teknologjinë ushtarake, veçanërisht përdorimi i dronëve dhe sistemeve të tjera moderne, kanë ulur rolin e tyre si sistem kritik në fushën e betejës.
“Helikopterët, pavarësisht që janë të nevojshëm, me ndryshimet e fundit nuk janë ai sistemi kritik për çdo ushtri, sepse dronët dhe armët e tjera i kanë bërë më pak të rëndësishëm në aspektin ushtarak. Megjithatë, ne kemi vlerësuar se ata na nevojiten”, deklaroi ai. /Zëri