Behrami kritikon Gjykatën Speciale: Ka devijuar nga mandati, të thirret urgjentisht në raportim
Foto: Laura Hasani

Behrami kritikon Gjykatën Speciale: Ka devijuar nga mandati, të thirret urgjentisht në raportim

Aktuale April 17, 2026 - 11:28

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, ka kritikuar ashpër Gjykatën Speciale gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, duke e akuzuar për mungesë transparence dhe devijim nga mandati.

Sipas tij, Kuvendi ka pranuar një letër “mospërfillëse dhe pa përmbajtje” nga kryetarja e kësaj gjykate, pavarësisht se më herët përmes një rezolute kishte ngritur shqetësime serioze lidhur me, siç tha ai, cenimin e të drejtave të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë.

“Kuvendi pranoi një letër mospërfillëse dhe pa përmbajtje nga kryetarja e gjykatës speciale. Ky Kuvend përmes një rezolute ngriti shqetësime serioze për cenimin e të drejtave të krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë, por mori një përgjigje të thatë. Ky është komunikimi i parë i kësaj gjykate me ne. Gjykata Speciale është duke devijuar mandatin që ia ka dhënë ky Kuvend”, u shpreh Behrami.

Ai gjithashtu përshëndeti qëndrimin e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili në Këshilli i Sigurimit i OKB-së kishte kërkuar që Gjykata Speciale të raportojë para Kuvendit të Kosovës.

Behrami bëri thirrje që Kuvendi të mos heshtë për këtë çështje, duke kërkuar sqarime shtesë dhe ndërprerjen e raportimeve në EULEX.

“Duhet të kërkohen sqarime dhe të ndalohen raportimet në EULEX. Duhet të ftojmë urgjentisht në sqarim Trëndafilovën, dhe pse jo edhe shefin e EULEX-it. Për këtë kërkoj mbështetje nga të gjitha grupet parlamentare”, deklaroi ai.