Rritet numri i personave të prekur nga alergjitë e stinës

Rritet numri i personave të prekur nga alergjitë e stinës

Aktuale April 17, 2026 - 12:30

Me ardhjen e pranverës dhe lulëzimin e natyrës, për shumë qytetarë fillon edhe një periudhë e vështirë për shëndetin. Alergjitë sezonale, të shkaktuara kryesisht nga poleni, shfaqen me simptoma si teshtima të shpeshta, rrjedhje hundësh, të kruarit e syve dhe vështirësi në frymëmarrje. Mjekët alergologë, ndërkaq, paralajmërojnë se numri i personave që preken nga alergjitë e pranverës është në rritje.

Alergjitë sezonale janë në rritje gjatë kësaj periudhe pranverore, si pasojë e përqendrimit të lartë të poleneve në ajër, të shkaktuara nga lulëzimi i pemëve, drurëve dhe bimëve. Edhe pse alergjitë mund të jenë të pranishme gjatë gjithë vitit, në pranverë vihet re një shtim i dukshëm i simptomave dhe i numrit të pacientëve, që kërkojnë ndihmë mjekësore, thotë për Radio Kosovën, drejtoresha e Klinikës se Alergologjisë në QKUK, Bardhë Selmanaj-Bislimi, e cila potencon se grupmoshat më të prekura janë fëmijët dhe të rinjtë nga 5 deri në 25 vjeç. Megjithatë, sipas saj rastet nuk mungojnë as te të rriturit.

Në vitet e fundit, kemi një rritje të numrit të pacientëve në institucionet tona publike nga alergjitë. Më të shpeshta sidomos në këto tre vitet e fundit janë rinitet alergike. Nuk përjashtohen edhe astmat që i kemi në shtim. Kemi edhe shtim të numrit të reaksioneve edhe ushqimore të cilët po dominojnë, sidomos të pacientët të cilët kanë alergji në polen.

Diagnostikimi i vonuar i alergjive dhe praktika e përhapur e vetëmjekimit mbeten ndër sfidat kryesore me të cilat përballen mjekët alergologë në punën e tyre të përditshme. Alergologu Enis Halimi thotë se diagnostikimi me kohë i alergjive, është thelbësor për të shmangur komplikimet.

Pacientet të cilët kanë probleme me alergji, duhet të fokusohen te trajtimi i duhur të mjeku përkatës. Jo te mjeku jo përkatës ose jo te vetëmjekoheni, të merrni barna pikërisht për këto, sepse ekziston një test jashtëzakonisht preciz, jashtëzakonisht i sigurt, edhe një terapi po ashtu e mirë, precize dhe e sigurt.

Sipas specialistëve të kësaj fushe, një nga problemet më shqetësuese është neglizhenca e simptomave për një kohë të gjatë, sidomos te fëmijët. Ata theksojnë se me kalimin e kohës mund të ndodhin edhe reaksione të kryqëzuara, duke bërë që pacientët të zhvillojnë alergji ndaj më shumë faktorëve, përfshirë edhe ushqimet.