Të hënën mbahet pritje ngushëlluese për Eliot Engel në New York
Foto: Laura Hasani

Të hënën mbahet pritje ngushëlluese për Eliot Engel në New York

Aktuale April 19, 2026 - 10:47

Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në New York dhe veprimtari Harry Bajraktari kanë organizuar një pritje ngushëlluese e cila mbahet të hënën me rastin e ndarjes nga jeta të Kongresmenit Eliot Engel.

Harry Bajraktari, përmes një postimi në Facebook, ka ftuar komunitetin shqiptaro-amerikan të marrë pjesë në pritjen për ngushëllime në nder të Kongresmenit Eliot Engel, e organizuar nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në New York, në bashkëpunim me të.

“Pjesëmarrja juaj nderon figurën e një miku të madh të kombit tonë, i cili për më shumë se tre dekada ishte një nga zërat më të fuqishëm në Kongresin e Shteteve të Bashkuara në mbështetje të çështjes shqiptare”, thekson ai.

Ai vlerëson se si ligjvënës dhe ish-Kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, Eliot Engel mbetet një nga personalitetet më meritore për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, për mbështetjen e Shqipërisë në rrugën drejt NATO-s, si dhe për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës.

“Kombi shqiptar do t’i mbetet përjetësisht mirënjohës njeriut që qëndroi gjithmonë pranë nesh. Zoti e bekoftë Kongresmenin Engel, familjen e tij, popullin amerikan dhe atë shqiptar”, thekson Bajraktari.