Avokati Bajraktari: Mungesa e gjyqtarëve dhe stafit po shkakton vonesa në drejtësinë civile
Foto: Laura Hasani

Avokati Bajraktari: Mungesa e gjyqtarëve dhe stafit po shkakton vonesa në drejtësinë civile

Aktuale April 19, 2026 - 08:51

Avokati Ardian Bajraktari ka vlerësuar se vonesat dhe problemet në sistemin e drejtësisë në Kosovë, veçanërisht në fushën civile, janë një dukuri e vazhdueshme që buron nga disa faktorë strukturorë, raporton Ekonomia Online.

Bajraktari në një përgjigje për Ekonomia Online tha se një nga shkaqet kryesore është mungesa e numrit të mjaftueshëm të gjyqtarëve, bashkëpunëtorëve profesionalë dhe stafit tjetër mbështetës, çka ndikon drejtpërdrejt në efikasitetin e trajtimit të lëndëve gjyqësore.

“Natyrisht kjo, me theks të veçantë në fushën civile, është diçka që e karakterizon në vazhdimësi sistemin tonë të drejtësisë. Sigurisht, shkaqet janë të shumta: mungesa e numrit të gjyqtarëve edhe bashkëpunëtorëve profesionalë dhe stafit tjetër.
Por, këto kohët e fundit kemi disa tentativa dhe përpjekje serioze të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, me theks të veçantë në drejtim të rekrutimit të gjyqtarëve dhe shtimit të kapaciteteve. Dhe të shpresojmë që edhe institucionet në këtë rast edhe Qeveria edhe Kuvendi të reflektojnë në raport me kërkesat buxhetore shtesë në raport me nevojat dhe domosdoshmërinë që ka sistemi i drejtësisë në përgjithësi e sistemi gjyqësor në veçanti”, tha Bajraktari për EO.