Zbulohet pllaka përkujtimore e veprimtarit, Remzi Lushi

Zbulohet pllaka përkujtimore e veprimtarit, Remzi Lushi

Aktuale April 21, 2026 - 08:45

Shoqëria “Lëvizja” bashkë me Shoqatën e të Burgosurve Politikë në nëntëvjetorin e vdekjes kanë zbuluar të hënën pllakën përkujtimore në nder të veprimtarit Remzi Lushi në Babush të Muhaxherëve në Lipjan.

Sabri Lushi, bashkëveprimtar i Remziut, tha se ky i fundit ishte veprimtar dhe atdhetar i madh.

“Sot jemi mbledhur këtu me respekt të thellë dhe përulësi për të zbuluar këtë pllakë përkujtimore në nder të veprimtarit, atdhetarit, birit të këtij vendi, Remzi Lushi. Në këtë moment të veçantë dhe solemn, si bashkëveprimtar i tij, kam nderin që përmes këtij shkrimi të paraqes para jush një përmbledhje të jetës, veprimtarisë dhe veprës së Remzi Lushit.Remzi Lushi lindi në Babush nga babai Aliu e nëna Nazlija. Shkollën fillore katër klasëshe e kreu në Babush, tetëvjeçaren në Gadime, ndërsa shkollën e mesme në Lipjan. Studimet i vazhdoi në Universitetin e Prishtinës, dega e Historisë. Më 6 gusht 1991 ai u dënua me 8 vite burg. Shumicën e dënimit e kaloi në izolim të ftohtë, në vetmi, duke u përballur me dhimbje e tortura më të rënda. Pas daljes nga burgu, në vitin 1989, ai së bashku me Sabri Lushin dhe Sejdi Sejdiun formojnë celulën e treshit të parë të radhëve të asaj kohe. Më 27 shtator të vitit 1988, ai u arrestua sërish duke u keqtrajtuar në zyrat e UDB-së në Prishtinë. Në atë kohë u arrestuan rreth 153 veprimtarë të lëvizjes, në një përpjekje për ta shuar rezistencën apo lëvizjen, por nuk pati sukses udbashët. Gjithashtu Remziu u arrestua dhe u keqtrajtua në stacionin e policisë në Lipjan, ku u rrah barbarisht e rëndë. Gjatë marrjes në pyetje ndaj tij, i ishte kërkuar të jepte informacione për luftën e armatosur në lidhje me vendndodhjen e Sabri Lushit, por ai megjithatë ishte i pathyeshëm dhe nuk pranoi asgjë. Pasi e kishin liruar në gjendje të rëndë, policia i kishte thënë të paraqitej sërish. Për shkak të rrethanave, Remziu u detyrua të largohej nga vendi dhe të emigronte në Gjermani, ku u vendos në Ingolstadt. Ai nuk e ndali aktivitetin atdhetar në përkrahje të Kosovës, duke kontribuar në fondet për çlirimin e saj dhe organizoi aktivitete të shumta në Ingolstadt dhe në përkrahje të demonstratave në Bon. Gjithashtu, në çdo përvjetor ai nderonte heronjtë Jusuf Gërvalla e Kadri Zekën në vendin ku ranë. Remziu kishte shoqëri të ngushtë me Fehmi dhe Ramiz Lladrovcin. Në demonstratat e Ingolstadtit mbajti një fjalim në përkrahje të luftës së UÇK-së, duke mbetur i palëkundur deri në fund, besnik ndaj idealit të tij për liri dhe atdhe.Më 20 prill 2017, u nda nga jeta në mërgim. Ishte një ndarje e dhimbshme larg vendlindjes, por amaneti i tij ishte i qartë: të kthehej në tokën e tij. Dhe ky amanet u përmbush, po atë ditë trupi i tij u solli në vendlindje dhe u preh aty, ku u pushua në amshimin e të parëve të tij. Sot jemi mbledhur këtu për ta zbuluar këtë pllakë përkujtimore për ta përjetësuar kujtimin e tij. Remziu ishte një qëndresë, një zë që nuk u shua. Ai vuajti për liri dhe liria sot mban emrin dhe gjuhën e tij. Le të jetë kjo pllakë kujtesë e përhershme për brezat që vijnë, se kjo tokë ka pasur bij që nuk përkulen kurrë. Në këtë moment të veçantë, shpreh falënderimin tonë të sinqertë dhe mirënjohje të thellë për të gjithë ata që kontribuuan në ngritjen e kësaj pllake përkujtimore. Kujtimi për Remzi Lushin do të mbetet i gjallë përherë në ndërgjegjen tonë kombëtare si dëshmi sakrifice dhe përkushtimi për liri. Lavdi përjetë”, tha Lushi për Ekonominë Online.

Ndërkaq Bejtullah Tahiri nga shoqëria “Lëvizja” u shpreh se përkujtimi për Remzi Lushin është dëshmi e përjetshme mirënjohje për veprën dhe jetën e tij.

“Sot jemi mbledhur këtu pranë familjes Lushi, në këtë votër të shenjtë atdhetare për të nderuar birin e kësaj familje dhe të mbarë kombit shqiptar, Remzi Lushin. Ky përkujtim që po e bëjmë sot nuk është thjesht një akt simbolik. Është një dëshmi e përjetshme mirënjohjeje për jetën dhe veprën e tij, i një njeriu që i kushtoi gjithçka atdheut. Pllaka që po vendosim sot në vendin ku ai lindi dhe u rrit mund të duket e vogël në përmasa, por pesha e saj është e madhe në kujtesën tonë kombëtare. Ky nder i takon vetëm atyre që jetën e tyre e vunë në shërbim të lirisë. Prej sot e përgjithmonë, kushdo që kalon këndej do të kujtojë me respekt e krenari Remzi Lushin, njeriun që punoi dhe veproi për një Kosovë të lirë e të pavarur. Kjo pllakë vendoset nga Shoqëria Lëvizja dhe Shoqata e të burgosurve politikë. Shoqëria Lëvizja, një organizatë atdhetare që nga themelimi i saj e deri më sot ka marrë përsipër mision fisnik për të nderuar bijtë dhe bijat e atdheut. Ky është një obligim i shenjtë që të mos harrojmë kurrë ata që dhanë më të shtrenjtën, jetën e tyre për lirinë tonë. Shoqëria Lëvizja, e themeluar më 1 korrik 2015, nuk është një krijim i rastësishëm. Ajo është vazhdim i drejtpërdrejtë i një rruge të gjatë përpjekjesh dhe sakrificash që nga organizatat ilegale atdhetare e deri te Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Kjo trashëgimi është themel mbi të cilën qëndron veprimtaria e saj. Në kohë kur përpjekjet për të njollosur dhe shtrembëruar luftën tonë çlirimtare vazhdojnë në forma të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, bëhet edhe më e domosdoshme ruajtja e së vërtetës historike. Tentativat për të zbehur sakrificën e luftëtarëve të lirisë nuk do të mund të shuajnë kurrë dritën e së vërtetës. Prandaj ekzistenca dhe veprimtaria e shoqërisë Lëvizja janë jetike për të mbrojtur vlerat tona kombëtare, për të përkujtuar sakrificën sublime të dëshmorëve si Remzi Lushe dhe për t’u kujtuar brezave se liria nuk është dhuratë, por amanet i fituar prej gjaku. Ne do të vazhdojmë të punojmë që brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë të kuptojnë se rruga drejt lirisë ka kaluar përmes sakrificave të mëdha, demonstratave, burgjeve dhe luftës çlirimtare. Këto vlera janë themeli i krenarisë sonë kombëtare dhe do të mbeten të gjalla deri në realizimin e idealit të përbashkët, bashkimit kombëtar”, tha Tahiri.

Po ashtu kryetari i Kuvendit Komunal të Lipjanit, Daut Azemi, njëkohësisht bashkëvendës i veprimtarit Lushi, përkujtoi këtë të fundit si bashkëveprimtar që solli lirinë.

“Për mua është kënaqësi me fol sot, edhe pse i ri, ku jam bashkëvendas i Remziut këtu. Duke pasur parasysh moshën time, unë kam qenë shumë i ri kur Remziu dhe shokët e tij kanë filluar rezistencën e tyre për çlirimin e vendit tonë. Por fatmirësisht kam dëgjuar shumë rrëfime nga prindi im e familjarë të tjerë për Remziun dhe bashkëveprimtarë të tjerë, për sakrificën e tij dhe shokëve të tij, për punën e madhe që kanë bërë në atë kohë. Dhe kjo neve, sidomos kjo pllakë e cila sot po zbulohet, besoj që do të na dëshmojë neve dhe gjeneratave të reja se ky vend, ky shteti jonë nuk është i rastësishëm. Është i ndërtuar me shumë sakrifica, me shumë mund, me shumë gjak e me shumë rrëfime e punë e gjëra të tjera të ndryshme që janë bërë për lirinë e vendit tonë. Falë aktivitetit të Remziut dhe shumë bashkëveprimtarëve të tjerë, e atyre që dhanë më të shtrenjtën, jetën e tyre, ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, invalidëve të luftës e të gjithë familjarëve të dëshmorëve e martirëve, ne sot po e gëzojmë këtë liri. Andaj, është inkurajim i imi i të gjithë neve që të trasojmë te brezat tonë të rinj, te gjeneratat e reja, në mënyrë që ta ruajmë këtë vend dhe ta ndërtojmë, dhe të punojmë punë të ndershme, në mënyrë që amaneti i tyre, gjaku i tyre të vihet aty ku ata e kanë pasur qëllimin e tyre. Në emër të Kryetarit të Komunës, në emër të institucioneve komunale, edhe një herë ju falënderoj të gjithëve dhe i falënderoj organizatorët për zbulimin e kësaj pllake, e cila sigurisht që do të na shërbejë neve si fshat, po edhe gjithë ata me pa se paska pasur njerëz që kanë dhënë shumë për këtë vend”, tha Azemi.

Shoku i Remzi Lushit, Shyqeri Emini, tha se ka shumë për të folur për bashkëveprimtarin e tij dhe se ai ishte atdhetar i madh.

“E nderuara familja Lushi, të nderuar ushtarë të UÇK-së, të nderuar pjesëmarrës, të nderuar bashkëvendas dhe bashkëvendase. Jemi tubuar sot për të vendosur një pllakë përkujtimore e nderi, në respekt të një atdhetari të paepur të çështjes kombëtare, të të burgosurit politik, Remzi Lushi, i cili deri në frymën e fundit ishte i përcaktuar për liri, çlirim dhe bashkim kombëtar. Për Remzi Lushin kemi shumë për të folur, por nga bindja ime dhe aq sa e kam njohur unë, ka qenë një person, një atdhetar që deri në pikën e fundit, deri në momentin e fundit të jetës ka qenë i përcaktuar për çështjen kombëtare dhe nuk kam njohur njeri që e ka pasur më pa hile çështjen kombëtare dhe bashkimin kombëtar. Rastësia është mbreti i botës thonë nganjëherë, e unë Remzi Lushin e kam njohur në demonstratat e vitit 1981 në Ferizaj, më 3 prill, pastaj kemi qenë ushtarë bashkë, dhe fati na deshti që edhe në burg të kemi bashkë, por Zoti siç duket i kishte caktuar këto. Kjo pllakë përkujtimore dhe nderi që po vihet sot nga shoqata Lëvizja, në bashkëpunim me UÇK-në në Kosovë, dhe nga Shoqata e ish-të burgosurve politikë, na nderon dhe na lartëson të gjithëve. Le të shërbejë kjo pllakë për përkujtim që sa herë të kalojnë fëmijët, të rinjtë, njerëzit e tjerë, ta shohin se liria ishte shumë e shtrenjtë. Dhe tek varrezat është edhe një thënie tek ai muri me mermer të Remziut, ku thotë: ‘Çështja kombëtare do të vërtitet me hapa të vegjël por të sigurt, si një frymëzim për gjeneratat e ardhshme për idealin të cilin e pati Remziu. E ideali i Remziut ka qenë: një gjuhë, një komb, një atdhe, një Shqipëri’.Prandaj, në emër edhe të bashkëvendasve nga ky vend që aq shumë e deshi Remziu, që aq shumë ka punuar për ta, që nuk ka pasur as tubim apo diçka, organizim që është bërë, e që nuk ka qenë Remziu në të, unë ju përshëndes të gjithë juve. Dhe edhe njëherë, përjetësisht lavdi, përjetësisht lavdi për Remzi Lushin”, tha Emini.

Ndërsa gruaja e Remziut, Halide Lushi, tha se pllakata përkujtimore do të shërbejë si udhë rrëfim për brezat e ri.

“Shoqata ‘Lëvizja’, faleminderit për këtë. Ne si familje ju falënderojmë për këtë iniciativë të kësaj pllake përkujtimore, që do të jetë një udhërrëfim për brezin e ri ashtu siç u frymëzuat ju nga brezat para nesh, edhe brezi i ri frymëzohet nga kjo pllakë përkujtimore. Falënderojmë shoqatën ‘Lëvizja’, shoqatën e ish-të burgosurve politikë dhe të gjithë ata. U bëftë dritë dhe lavdi të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës, për këtë liri që sot e gëzojmë”, tha Lushi.