Këta janë 12 kandidatët për anëtarë të KPM-së, që do të procedohen për votim në seancë

Këta janë 12 kandidatët për anëtarë të KPM-së, që do të procedohen për votim në seancë

Aktuale April 20, 2026 - 22:02

Të hënën, Komisioni Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë në Komisionin e Pavarur për Media (KPM), ka intervistuar 23 kandidatë dhe ka përzgjedhur 12 prej tyre për t’i proceduar për votim në seancë plenare.

Ky komision përbëhej nga deputetët: Alban Bajrami – kryetar, Arbëreshë Kryeziu Hyseni, Egzon Azemi, Fitim Haziri, Nezir Kraki, Ariana Musliu Shoshi, Ganimete Musliu, Ermal Sadiku, Igor Simiq, Fridon Lala dhe Time Kadrijaj.

Mirëpo, deputeti Kraki nuk mori pjesë në intervistimin e kandidatëve.

Kandidatët nga radhët e shqiptarëve të përzgjedhur me më së shumti pikë pas intervistimit janë: Drita Morina, Besnik Berisha, Majlinda Aliu, Petrit Hasanaj, Vjona Sylejmani Shabani, Luljeta Aliu Krasniqi, Vlora Berisha dhe Hysni Mustafa.

Ndërkaq, kandidatët nga pakicat, me më së shumti pikë janë: Fatih Basha, Suada Dzogovic, Serpin Emrusi Halce dhe Ajten Kodraci.

Kështu, të njëjtit do të procedohen për votim në seancë plenare.

Pas llogaritjes së poentimit, kryetari i këtij komisioni, deputeti Alban Bajrami, bëri të ditur se për këtë proces për anëtarë të KPM kanë qenë të bashkuara dy shpallje të konkurseve.

Kështu që për secilën pozitë, në seancë plenare propozohen nga dy kandidatë.

Ndryshe, ky komision ishte konstituuar më 8 prill 2026, derisa lista e kandidatëve ishte shqyrtuar në mbledhjen e mbajtur më 17 prill 2026.

Nga 30 kandidatët e shqyrtuar në këtë listë, tre (3) prej tyre ishin eliminuar gjatë shqyrtimit, 27 ishin ftuar për intervistim.

Ndërsa, katër (4) prej tyre nuk u paraqitën për intervistim, kurse njëri kandidat u eliminua pas intervistimit.

Kurse, në mungesë kuorumi, ky komision kishte dështuar të shqyrtonte listën e kandidatëve më 10 prill 2026, 14 prill 2026 dhe në mëngjesin e 17 prillit 2026. /eo