Kosova e para në Ballkan dhe e shtata në botë në Kartën Globale për Kujdesin ndaj Fëmijëve
Kosova është bërë shteti i parë nga Ballkani dhe i shtati në botë që i janë pranuar angazhimet në Kartën Globale për Reformën e Kujdesit për Fëmijët.
Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare njofton se pesë angazhimet kombëtare për periudhën 2026–2028, të ndërtuara mbi legjislacionin ekzistues për mbrojtjen e familjes dhe fëmijëve, janë miratuar plotësisht nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar.
Sipas njoftimit, këto angazhime synojnë forcimin e politikave sociale dhe përmirësimin e sistemit të kujdesit për fëmijët në vend.
Fushat prioritare përfshijnë parandalimin e ndarjes së fëmijëve nga familjet, zhvillimin e shërbimeve të integruara familjare dhe komunitare, zgjerimin e kujdesit familjar alternativ, digjitalizimin e sistemit të të dhënave dhe forcimin e kapaciteteve profesionale.
Institucionet theksojnë se reformat do të mbështeten në praktikat më të mira ndërkombëtare, me synimin që çdo fëmijë në Kosovë të rritet në një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm familjar.
Pranimi i këtyre angazhimeve, i realizuar edhe me mbështetjen e UNICEF në Kosovë, konsiderohet hap i rëndësishëm drejt fuqizimit të mekanizmave për mbrojtjen e fëmijëve dhe familjeve./Zëri