Abdixhiku: Dështimi i proceseve negociuese s’është fund, por moment kthese për LDK-në
Foto: Laura Hasani

Abdixhiku: Dështimi i proceseve negociuese s’është fund, por moment kthese për LDK-në

Aktuale April 22, 2026 - 11:16

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se ka mbajtur një takim virtual me të gjitha 88 nëndegët e kësaj partie në mërgatë.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Abdixhiku thotë se i ka njoftuar për rrjedhën e proceseve negociuese, të cilat, siç thotë ai, fatkeqësisht dështuan, përkundër vullnetit maksimal dhe kërkesave minimale të partisë.

“Por ky dështim nuk është fund; është moment kthese. Dhe atë kthesë e madhe për Lidhjen. Folëm hapur për momentin politik dhe për domosdoshmërinë e bashkimit të së djathtës brenda LDK-së; si rruga e vetme për ta kthyer drejtimin e vendit dhe për të ndërtuar një alternativë të denjë për qytetarët”, shkroi kreu i LDK-së.

Ndër të tjera, Abdixhiku njofton se u dakordua për mobilizim të plotë dhe nisjen e menjëhershme të përgatitjeve për tubime e takime në mërgatë.

“Mërgata jonë nuk është vetëm mbështetje; është pjesë vendimtare e kthesës që po ndërtojmë. Koha për pritje ka përfunduar. Koha për veprim ka nisur”.