Vendosja e shamisë në shkolla, Korenica: S’ka shtet të dytë si Kosova me shumicë myslimane që ka kaq shumë masa të rrepta
Foto: Zëri

Vendosja e shamisë në shkolla, Korenica: S’ka shtet të dytë si Kosova me shumicë myslimane që ka kaq shumë masa të rrepta

Aktuale April 22, 2026 - 11:31

Dhuna në bazë gjinore, sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve, diskriminimi dhe racizmi, të drejtat e LGBT+, arsimi dhe liria fetare cilësohen si ngecje për Kosovën në raportin mbi gjendjen e të drejtave të njeriut të përpiluar nga Amnesty International.

Ish-deputeti, Visar Korenica, tha se diskriminimi i vajzave që vendosin të vënë shaminë ka qenë i vazhdueshëm në shoqërinë e Kosovës.

“Mendoj që këto raporte janë të vazhdueshme, një refuzim të tillë në kuptimin e diskriminimit qoftë sa i përket kufizimit në arsim të vajzave që vendosin me vendos shaminë, apo në raste të tjera të ndryshme që pengohen me viju mësimin e rregullt ka pasur edhe më herët. Të tilla raporte na tregojnë që ne duhet të marrim masa dhe të mos pengojmë fëmijët që të kenë të drejtën e tyre ekskluzive për vijimin e shkollave”, tha ai.

Tutje, ai tha se Kosova si shtet me shumicë myslimane ka vendosur masa të rrepta për lirinë e shprehjes së besimit dhe sipas tij këto masa duhet të hiqen.

“Nuk ka një shtet të dytë sikur Kosova me shumicë myslimane, ku kaq shumë në mënyrë kaq të rreptë janë marrë masa me kufizu edhe lirinë e besimit shprehjen e lirisë së besimit dhe të drejtën e fëmijëve për ta gëzuar shkollimin. Shteti ka vu masa joadekuate sa i përket kontrollit të veshjeve në institucionet shkollore dhe mendoj që këto kufizime të rrepta duhet të hiqen”, tha Korenica në Klan Kosova.