KDI: Zgjedhja e Presidentit pa kuorum cenon rendin kushtetues
Foto: Laura Hasani

KDI: Zgjedhja e Presidentit pa kuorum cenon rendin kushtetues

Aktuale April 27, 2026 - 22:12

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar ashpër ndaj përpjekjeve për të vazhduar procesin e zgjedhjes së Presidentit pa përmbushjen e kuorumit të kërkuar me Kushtetutë, duke vlerësuar se një veprim i tillë cenon drejtpërdrejt rendin kushtetues dhe funksionimin e demokracisë parlamentare në vend.

Sipas KDI-së, praktika dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese e kanë përcaktuar qartë standardin që duhet ndjekur në këtë proces. Në dy raundet e para të votimit kërkohet pjesëmarrja e së paku dy të tretave të të gjithë deputetëve, ndërsa vetëm pas përmbushjes së këtij kushti procedura mund të vazhdojë në raundin e tretë.

Ky institut thekson se çdo përpjekje për të anashkaluar këtë rregull kushtetues dhe për të zgjedhur Presidentin me një numër të kufizuar deputetësh në sallë përbën shkelje të hapur të Kushtetutës dhe deformim të qëllimshëm të parimeve kushtetuese. Po ashtu, sipas tyre, nuk ekziston asnjë bazë juridike që mundëson uljen e kuorumit për shkak të mungesës së deputetëve.

KDI paralajmëron se një qasje e tillë krijon precedent të rrezikshëm dhe hap rrugë për interpretime të njëanshme të rregullave kushtetuese. Në këtë kontekst, u bëhet thirrje deputetëve që të respektojnë standardet kushtetuese dhe të shmangin veprime që mund të thellojnë krizën institucionale në vend./Zëri

Reagimi i plotë: 

KDI: Zgjedhja e Presidentit pa kuorumin e nevojshëm cenon drejtpërdrejt rendin kushtetues
 
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) dënon ashpër përpjekjen për ta çuar përpara zgjedhjen e Presidentit pa përmbushjen e kuorumit të kërkuar kushtetues. Një veprim i tillë cenon drejtpërdrejt themelet e rendit kushtetues dhe funksionimin e demokracisë parlamentare në vend.

Vendimet dhe praktika e Gjykatës Kushtetuese kanë sqaruar qartë standardin që duhet ndjekur, sipas së cilit përcaktohet që procedura e zgjedhjes së Presidentit kërkon pjesëmarrjen e së paku dy të tretave të të gjithë deputetëve në raundin e parë dhe të dytë të votimit, ndërsa vetëm pas përmbushjes së këtij kushti procedura vazhdon në raundin e tretë.

Çdo tentativë për ta anashkaluar këtë rend kushtetues dhe për të zgjedhur Presidentin me një numër të kufizuar deputetësh në sallë përbën shkelje të hapur të Kushtetutës dhe deformim të qëllimshëm të parimeve kushtetuese. Për më tepër, nuk ekziston asnjë bazë juridike që lejon uljen e kuorumit mbi bazën e pretendimeve për mungesën e deputetëve.

KDI vlerëson se kjo qasje krijon një precedent të rrezikshëm dhe hap rrugë për interpretime të njëanshme të rregullave kushtetuese. Prandaj, KDI u bën thirrje deputetëve që të respektojnë standardet kushtetuese dhe të shmangin veprime që thellojnë krizën institucionale. Po ashtu, atyre u bëjmë thirrje edhe që të ndalojnë çdo veprim që cenon rendin kushtetues dhe të rikthehen në respektimin e plotë të procedurave kushtetuese.