S’ka kuorum, seanca shtyhet për në orën 19:00
Foto: Laura Hasani

S’ka kuorum, seanca shtyhet për në orën 19:00

Aktuale April 28, 2026 - 14:53
I plotësuar

Kuvendi i Kosovës ka shtyrë për të dytën herë sot, seancën për zgjedhjen e presidentit.

Pasi në seancën e orës 14:00, nuk kishte kuorum, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu e shtyu seancën për në orën 19:00, transmeton Zeri.info.

Haxhiu edhe kësaj here i bëri thirrje opozitës që të vinë në seancë.

“Të nderuar deputetë, kabinet qeveritar, në këto rrethana, për shkak të mungesës së opozitës dhe gjithnjë duke u përpjekur që t’i kemi ata në seancën për zgjedhje ne presidentit të Kosovës edhe për shkak të obligimeve kushtetuese dhe interesit publik, unë po ju njoftoi se kjo seancë vazhdon sot në orën 19:00”, tha Haxhiu. /Zëri

Image

14:32 | Deputetët e pozitës kthehen në sallë, tentim tjetër për zgjedhjen e presidentit pa opozitën 

Deputetët e LVV-së janë mbledhur në sallën e Kuvendit për një tentim të radhës për zgjedhjen e presidentit.

Edhe në këtë seancë nuk janë të pranishme partitë opozitare, transmeton Zeri.info.

LVV-ja tashmë ka propozuar Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën për postin e presidentit, por për shkak të kuorumit, seanca, e cila ka nisur mbrëmjen e së hënës, është shtyrë për sot.

11:05 | Seanca për presidentin, në orën 14:00

Kuvendi i Kosovës e ka shtyrë seancën për presidentin, pasi nuk kishte kuorum në sallë.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e shtyu seancën për në orën 14:00, derisa u bëri thirrje partive opozitare të marrin pjesë në këtë seancë, transmeton Zeri.info.

11:00 Nis seanca për presidentin

Image

Vazhdimi i seancës së Kuvendit për zgjedhjen e presidentit është thirrur për sot në orën 10:00, por që ka nisur vetëm gati pas një ore.

Në seancë janë të pranishëm vetëm deputetët e pozitës, ndërsa partitë opozitare nuk po marrin pjesë në këtë seancë, ku pritet të nisë rundi i ri i votimit për zgjedhjen e presidentit, transmeton Zeri.info.

Kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu në fillim të seancës ka lexuar obligimet, që sipas saj ua jep kushtetuesja deputetëve për të marrë pjesë në seancë. /Zëri