Dogana e Kosovës raporton sulm kibernetik ndaj platformës Schwacke
Dogana e Kosovës ka njoftuar publikun dhe palët e interesuara se platforma Schwacke, e cila është përdorur deri tani për vlerësimin doganor të automjeteve të përdorura, ka qenë objekt i një sulmi kibernetik, duke shkaktuar ndërprerjen e qasjes në këtë shërbim.
Sipas njoftimit të Doganës, si pasojë e sulmit qasja në platformën Schwacke është ndërprerë “në nivel evropian dhe më gjerë”, çka e bën të pamundur përdorimin e saj për një periudhë të caktuar kohore, raporton Zeri.info.
Postimi i plotë:
Dogana e Kosovës njofton publikun dhe të gjitha palët e interesuara se platforma për vlerësimin e automjeteve të përdorura Schwacke, e cila është përdorur deri tani për qëllime të vlerësimit doganor, ka qenë objekt i një sulmi kibernetik.
Si pasojë e këtij sulmi, qasja në këtë platformë është ndërprerë në nivel evropian dhe më gjerë, duke e bërë të pamundur përdorimin e saj për një periudhë të caktuar kohore.
Në këto rrethana, me qëllim të sigurimit të vijimësisë së procedurave doganore dhe shmangies së vonesave në zhdoganimin e automjeteve, Dogana e Kosovës ka kaluar në përdorimin e platformës DAT ( Deutsche Automobil Treuhand), e cila operon me standarde të njëjta profesionale dhe ofron të dhëna të besueshme për vlerësimin e automjeteve.
Dogana e Kosovës siguron se të gjitha veprimet e ndërmarra janë në funksion të lehtësimit të tregtisë, evitimit të pritjeve dhe mbrojtjes së interesit publik.
Për çdo ndryshim të mëtejmë, publiku dhe palët e interesuara do të njoftohen me kohë.