Hiqet plumbi nga mushkëria me metodën moderne VATS-Uniportal në QKUK

Hiqet plumbi nga mushkëria me metodën moderne VATS-Uniportal në QKUK

Aktuale April 29, 2026 - 11:45

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është realizuar me sukses një ndërhyrje e avancuar kirurgjikale në Klinikën e Kirurgjisë Torakale, ku është larguar një plumb nga mushkëria e një pacienti.

Bëhet fjalë për një pacient mashkull, rreth 28-vjeçar, i cili kishte mbetur i plagosur para 10 muajsh, me një plumb të lokalizuar në lobin e poshtëm të mushkërisë së majtë. Pas vlerësimeve mjekësore, ekipi specialist vendosi për trajtim përmes një metode moderne dhe minimale invazive, transmeton Zeri.info.

Ndërhyrja është realizuar duke përdorur teknikën bashkëkohore VATS-Uniportal (Video Assisted Thoracic Surgery – Uniportal), e cila mundëson qasje më të sigurt kirurgjikale, më pak traumë për pacientin dhe një rikuperim më të shpejtë krahasuar me metodat tradicionale.

Sipas mjekëve, operacioni ka përfunduar me sukses të plotë, duke evituar komplikacionet e mundshme dhe duke ruajtur funksionin e mushkërisë. Pacienti aktualisht është në gjendje të mirë shëndetësore dhe po vazhdon fazën e rikuperimit pas operacionit.

Ky rast konsiderohet një tjetër dëshmi e avancimit të shërbimeve shëndetësore në vend, si dhe e përkushtimit të stafit mjekësor për aplikimin e teknikave moderne në trajtimin e pacientëve në kuadër të Qendra Klinike Universitare e Kosovës. /Zëri