Inspektorati i Punës për dy ditë ndaloi punimet në 14 vendpunime, 4 raste procedohen në Polici

Inspektorati i Punës për dy ditë ndaloi punimet në 14 vendpunime, 4 raste procedohen në Polici

Aktuale May 01, 2026 - 11:41

Inspektorati Qendror i Punës ka ndërmarrë një aksion të jashtëzakonshëm inspektues në të gjithë territorin e Kosovës, duke u fokusuar në sektorët me rrezikshmëri të lartë, në zbatim të vendimit të ministrit të MPFVLÇ-së dhe në përputhje me mandatin ligjor.

Sipas njoftimit, raporti 48-orësh paraqet rezultatet e inspektimeve të ditës së katërmbëdhjetë të realizuara në kuadër të këtij aksioni.

“Në këtë 48-orësh fokus i inspektimit ka qenë sektori i ndërtimtarisë, andaj edhe realizimi i inspektimeve është bërë në 100% në këtë sektor”, thuhet në njoftim.

Tutje sqarohet se numri total i ndalimeve të punimeve nënkupton automatikisht edhe numrin e kërkesave për kundërvajtje.

“Në përfundim të aksionit, të gjitha subjektet që kanë rezultuar me ndalim të punimeve, me automatizëm procesohen në gjykata për kundërvajtje, përkatësisht për shkeljet e konstatuara”, thekson Inspektorati.

Po ashtu bëhet e ditur se procesi i riinspektimeve do të zhvillohet në ditët në vijim, në përputhje me afatet kohore të përcaktuara nga inspektorët, me qëllim të eliminimit të parregullsive.

“Eliminimi i parregullsive nënkupton rastet kur subjekti i inspektuar ka ndërmarrë veprime konkrete për përmirësimin e gjendjes së sigurisë dhe shëndetit në punë”, thuhet më tej.

Në njoftim sqarohet gjithashtu se rastet e proceduara në polici lidhen me punëkryerës apo investitorë që kanë vazhduar punimet në kundërshtim me vendimet e inspektorëve për ndalim, si dhe me dëmtimin e shiritit ndalues.

Ndërkaq, theksohet se rastet e paraqitura në polici nuk përputhen numerikisht me tabelat, pasi ato kanë të bëjnë me subjektet që tashmë kanë qenë nën vendim për ndalim të punimeve.

Image