Rritet përdorimi i cigareve elektronike te të rinjtë, kërkohet ndërhyrje ligjore
Gjenden pothuajse në çdo dyqan.
Me dizajne dhe shije të ndryshme cigaret elektronike po bëhen gjithnjë e më të pranishme te të rinjtë.
Përdorimi i cigareve elektronike vlerësohet se po përhapet pa kontroll.
“Shijet dhe aromat janë arsyeja kryesore se pse të rinjtë e konsumojnë këtë dhe ne duhet ta adresojmë këtë përmes Ligjit, ku duhet të ndalojmë shijet dhe aromat në këto produkte dhe duhet të lëmë vetëm ato që kanë shijen e tyre dhe jo ato të frutave”, ka thënë Spahia.
Ndërkohë, mjeku i mushkërive Besim Morina thotë që këto janë problemi kryesor i sistemit respirator dhe i shumë problemeve të tjera.
“Cigaret elektronike dhe produktet që e kanë bazë nikotinën, produktet e reja janë problemi kryesor që përballet shëndetësia publike…Më parë krejt mekanizmat e shoqatave ndërkombëtare, organizmat ndërkombëtar kanë qenë duke e luftu mos shpërndarjen e duhanit, deri diku ka pasë rezultate shumë të mira. Por për fat të keq industria e duhanit janë shumë më kreativ se na edhe kanë zbulu produkte të reja”, u shpreh Morina.
Morina thotë që dëmet që mund të sjellin këto janë të mëdha edhe në gjendjen psikologjike të fëmijëve.
“Këto janë produkte të reja dhe ne nuk e dijmë dëmin e tyre afatgjatë. Por ne i dijmë dëmet afatshkurtra sepse ende nuk ka kalu kohë kur e kanë fillu përdorimin masiv. Por duhet të dihet se këto përmbajnë nivele të larta të nikotinës”, ka thënë tutje Morina.
Shumë shtete kanë vendosur ndalimin e shitjes së cigareve elektronike njëpërdorimshe.
Belgjika është një ndër to e cila ka ndaluar shitjen e tyre, ndërsa vende si Mbretëria e Bashkuar dhe Franca kanë miratuar gjithashtu legjislacion për të ndaluar këto pajisje./teve1