LVV-ja me thirrje për mërgatën: Regjistrohuni për të votuar, afati hapet nesër
Foto: Laura Hasani

LVV-ja me thirrje për mërgatën: Regjistrohuni për të votuar, afati hapet nesër

Aktuale May 05, 2026 - 16:37

Lëvizja Vetëvendosje i ka bërë thirrje mërgatës që të regjistrohen për të votuar në zgjedhjet e 7 qershorit.

Përmes një postim në profilin zyrtar të kësaj partie në Facebook, thuhet se afati për regjistrim hapet nesër.

“Edhe pas shumë përpjekjeve e propozimeve nga ana jonë dhe të gjitha refuzimeve nga ana e opozitës, vendi po futet sërish në një proces zgjedhor. Ju folët qartë në zgjedhjet e fundit, sikurse i gjithë populli i Kosovës, por kjo nomenklaturë e vjetër politike nuk do të dëgjojë”, thuhet në postimin e tyre.

Postimi i plotë:

Regjistrohu për votim nga mërgata

Afati: 6–17 maj 2026

E dashur mërgatë,

Të nderuar bashkatdhetarë,

Edhe pas shumë përpjekjeve e propozimeve nga ana jonë dhe të gjitha refuzimeve nga ana e opozitës, vendi po futet sërish në një proces zgjedhor. Ju folët qartë në zgjedhjet e fundit, sikurse i gjithë populli i Kosovës, por kjo nomenklaturë e vjetër politike nuk do të dëgjojë.

Edhe ky proces, si të gjitha proceset elektorale, është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Ndërkaq, të gjithë ata bashkatdhetarë që nuk do të vijnë fizikisht për votim në Kosovë, duhet patjetër të regjistrohen paraprakisht për të fituar të drejtën për votim me postë apo në ambasada/konsullata.

Afati për regjistrim hapet nesër, e së bashku me të edhe linku për regjistrim.

Ju faleminderit!