Pacolli: Mbi 50 mijë euro të arkëtuara nga gjobat e Inspektoratit të Mjedisit
Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka njoftuar se gjatë vitit 2026 Inspektorati i Mjedisit ka shqiptuar 28 gjoba në fusha të ndryshme, nga të cilat janë arkëtuar mbi 50 mijë euro.
Pacolli përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se në Inspektoratin e Mjedisit, në kuadër të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), është nisur një “qasje e re”, të cilën e ka përshkruar si të vendosur dhe pa kompromis ndaj ndotësve.
“Në Inspektoratin e Mjedisit në kuadër të MMPH kemi nisur një qasje të re, të vendosur dhe pa kompromis ndaj ndotësve të mjedisit”, ka shkruar Pacolli.
Ajo ka bërë të ditur se të hyrat e arkëtuara nga gjobat kanë kaluar shumën prej 50 mijë eurosh.
“Gjatë vitit 2026, Inspektorati Mjedisor ka shqiptuar 28 gjoba në fusha të ndryshme, duke arkëtuar mbi 50 mijë euro nga këto gjoba”, ka theksuar ministrja.
Pacolli ka paralajmëruar se inspektimet në terren do të shtohen dhe se institucionet do të veprojnë me vendosmëri për mbrojtjen e mjedisit.
“Ky është vetëm fillimi. Do të rrisim intensitetin e inspektimeve në terren dhe do të veprojmë me vendosmëri për mbrojtjen e pasurive tona natyrore!”, ka shkruar ajo.