Berisha-Ndrejaj: Vaksina kundër fruthit nuk shkakton autizëm, komplikimet nga kjo sëmundje mund të jenë serioze

Berisha-Ndrejaj: Vaksina kundër fruthit nuk shkakton autizëm, komplikimet nga kjo sëmundje mund të jenë serioze

Aktuale May 09, 2026 - 08:33

Rastet e fundit të fruthit të raportuara në Kosovë paraqesin një sinjal serioz për shëndetin publik.

Ndërsa, marrja e vaksinës kundër kësaj sëmundje ndalon përhapjen e saj.

Pavarësisht, që kohëve të fundit ka pasur pretendime që vaksina kundër fruthit shkakton autizëm, një gjë të tillë e ka hedhur poshtë drejtoresha e Klinikës Infektive, Vera-Berisha-Ndrejaj.

Berisha-Ndrejaj për Ekonomia Online ka treguar se kjo vaksinë nuk ka të bëjë fare me autizëm.

Ajo tha se më e rrezikshme është sëmundja e cila mund të ketë komplikime në sistem respirator dhe kardiovaskular.

“Vaksina përmban në vetë tre lloje të vaksinave MMR, është kundër fruthit, kundër mumësit dhe rubeollës. Vaksina kundër fruthit (morbillit) nuk ka asnjë efekt anësor, këtu nuk ka asnjë gjë të vërtetë, përhapja e lajmeve të rreme dhe dezinformatave sigurisht ndikon në popullatën e cila nuk është mirë e informuar, ose me dashje marrin informata të gabuara dhe nuk i vaksinojnë fëmijët e tyre, prej vaksinave nuk ka rrezik, por ka rrezik prej sëmundjes, sëmundja mund të shkojë me klinikë të rëndë duke dhënë komplikime në sistem nervor qendror, duke dhënë komplikime në sistemin respirator, sistemin kardiovaskular e tjerë e tjerë. Pra rreziku është nga sëmundja, rreziku është nga mosvaksinimi dhe rrezik nuk ka nga vaksinimi, përkundrazi përfitimi nga vaksinimi është shumë i lartë”, tha Berisha-Ndrejaj.

Ajo tha se prindërit me të cilët kanë biseduar janë të gatshëm t’i vaksinojnë fëmijët e tyre.

“Neve kemi biseduar me prindër të të gjithë fëmijëve që kanë qenë të pavaksinuar, shumica prej tyre nuk është se nuk kanë dashtë me vaksinu fëmiun, por për shkaqe të ndryshme shëndetësore, qoftë ndonjë gjendje tjetër virale e ka shty kohën e vaksinimit, por kemi pasë edhe prej atyre që jo vetëm fëmijët e sëmurë por edhe të tjerët nuk i kanë vaksinuar, ndërkohë që duke biseduar me ta, ata tash e tutje shprehin gatishmëri që t’i vaksinojnë fëmijët e tjerë”, tha Berisha-Ndrejaj.

Kujtojmë se në Kosovë deri më tani janë konfirmuar 10 raste me sëmundjen e fruthit, prej të cilave katër janë dukë u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), gjegjësisht në Klinikën Infektive.