Costa uron Kosovën për Ditën e Evropës: E ardhmja juaj është në BE
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka uruar Kosovën në Ditën e Evropës, duke thënë se vendi i saj është në Bashkimin Evropian.
“Të dashur qytetarë të Kosovës, po ju drejtohem sot si anëtarë të ardhshëm të Bashkimit Evropian. Në Ditën e Europës, ne festojmë projektin tonë të përbashkët europian, kur anëtarët tanë themelues zgjodhën unitetin mbi ndarjen dhe bashkëpunimin mbi konfliktin. Ata vendosën të ndërtojnë një të ardhme paqeje, lirie dhe prosperiteti mbi hirin e Luftës së Dytë Botërore”, ka thënë Costa.
Ai shtoi se Kosova ndan të njëjtin destinacion me vendet e rajonit drejt BE-së.
“Ne besojmë se e ardhmja juaj është në Bashkimin Europian. Po bëhet shumë punë e madhe që kjo të ndodhë. Ju ndani të njëjtin destinacion me pjesën tjetër të rajonit — Bashkimin Europian. Vazhdoni të punoni që kjo të realizohet. Së bashku, do të ndërtojmë një të ardhme të përbashkët evropiane. Rroftë Europa!”, u shpreh ai.