Ekspertja thotë se për transkriptimin e audios nga vizita e Kuçit përdori Inteligjencën Artificiale

Ekspertja thotë se për transkriptimin e audios nga vizita e Kuçit përdori Inteligjencën Artificiale

Aktuale May 11, 2026 - 12:12

Në seancën e së hënës, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, të cilët akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, dëshmitarja Helen Fraser foli për transkriptimin e audiove nga vizita e Kuçit në Qendrën e Paraburgimit, për të cilin tha se përdori Inteligjencën Artificiale.

Pas deklarimit lidhur me disa aspekte të linguistikës, u diskutuan audiot e gjykimit konkret, lidhur me dy vizita që janë bërë në Qendrën e Paraburgimit, ku ekspertja Fraser tha se u fokusua në dy incizimet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me transkriptet, ajo tha se është shumë e rëndësishme të dimë procesin që është ndjekur. Tha se është e vështirë ta shohin një transkriptë pas faktit.

Gjuhën shqipe, FraserI tha se nuk e kupton dhe nuk ka pasur transkriptues që flet shqipen, megjithatë përdori transkriptuesin e Inteligjencës Artificiale.

Por theksoi se në rastet tjera janë një grup transkriptuesish që janë të aftë për audiot e padëgjueshme mirë.

E pyetur nëse Inteligjenca Artificiale është mjet i mirë për ta zëvendësuar transkriptuesin, Fraseri tha se nuk është e duhura.

“Inteligjenca Artificiale nuk mund ta zëvendësojë aspektin njerëzor në transkriptimin e audiove të padeshifrueshme. E përdora sepse doja të dija sa informacion është i dëshifrueshëm nga lart-poshtë”, tha Fraseri.

Fraseri deklaroi se përdori mjetin e transkriptimit nga AI dhe shtoi se dobia ishte se ky mjet i mundësoi deshifrimin dhe transkriptimin e saktë sikurse transkriptuesit.

Megjithatë, tha se mjeti i Inteligjencës Artificiale iu dha një ide se çfarë përmban audio.

Përpjekja për të reduktuar zhurmën, në shumë raste, sipas saj, do të thotë edhe heqje e informacionit.

Më pas, dëshmitares iu paraqit shkëmbimi i e-maileve mes mbrojtjes së Thaçit dhe një përkthyesi, ku iu kërkua të transkriptonte disa audio nga vizita e Kuçit. Përkthyesi kishte thënë se nuk mund t’i transkriptonte për shkak të pamundësisë së dëshifrimit. Pas kësaj, iu shfaq edhe audio e transkriptuar nga ZPS-ja, transkriptë kjo me pesë faqe.

Lidhur me këtë, Fraser tha se nuk e di nëse përkthyesi në fjalë do të ishte në mesin e personave që ka zotëruar aftësinë e deshifrimit të këtyre lloj audiove. Por, tha se beson që ZPS-ja është mbështetur edhe në informacionin lart-poshtë, të cilin përkthyesi nuk e ka pasur.

E-maili tjetër që iu shfaq dëshmitares ishte mes mbrojtjes së Thaçit dhe Njësisë për Administrimin e Gjykatës, ku këta të fundit u kanë thënë se nuk mund ta bëjnë transkriptimin e audios nga vizita e Kuçit, për shkak të cilësisë së audios. Sërish, ZPS-ja e kishte transkriptuar.

Për këtë, dëshmitarja tha se beson që rrethanat janë të njëjta, ku derisa ki informacione më shumë për kontekstin, është më e lehtë të bëhet transkriptimi.